15 maj 2015 – Do të vëmë në funksion të tre rezervuarët e zonës për të siguruar vaditjen e plotë të fermave si dhe do të shtrojmë rrugët e arave, kanë qenë këto premtimet e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, në takimet me fermerët e zonave të Romanatit dhe Bozanxhies të Rrashbullit.

Sipas Dakos, sapo të nisë mandati i ri do të fillojë puna për shtrimin e rrugëve lidhëse të arave dhe lidhja e tyre me rrugën kryesore në mënyrë që të garantohet dërgimi i shpejtë i produkteve bujqësore në treg.

Duke theksuar rëndësinë e produkteve bio që prodhojnë fermat që përfshihen në territorin e ri të bashkisë, Dako deklaroi se Bashkia e re e Durrësit do t’i mbështesë fuqimisht fermerët e këtyre zonave për të nxitur shtimin e prodhimit bujqësor bio dhe garantimin e tregut vendas, por edhe eksportin në të ardhmen e afërt. 

Ai gjithashtu premtoi ngritjen e një inspektoriati arash që do të merret me inspektimin kryesisht të kanaleve vaditëse e kulluese që janë bllokuar nga individë të ndryshëm dhe ky inspektoriat do të marrë përsipër zhbllokimin e tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/