19 maj 2015 – ‘Premtime të mbajtura, 342 banesa sociale për banorët e zonës në nevojë. Mirëqenie nëpërmjet nxitjes së zhvillimit ekonomik. Kthimi i Durrësit në qytet turistik europian.’

Këto kanë qenë deklaratat që ka bërë sot kryebashkiaku Vangjush Dako gjatë një takimi të zhvilluar me banorët e strehuar në banesat sociale të lagjes 17.

Aktualisht për njerëzit në nevojë të Durrësit janë shpërndarë 126 apartamente, 128 të tjera janë në proces dhe 88 banesa sociale të tjera do të ndërtohen në zonën e Shkozetit. Pra, sipas Bashkisë, janë 342 banesa sociale për ketegoritë e njerëzve në nevojë që përfitojnë nëpërmjet këtij programi strehimi.

Ndërkaq, duke u zotuar para qytetarëve se në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të rikonstruktohet rruga që lidh lagjen 17 me autostradën, Dako tregoi se sfida kryesore e tij mbetet puna dhe përpjekjet për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimin e nivelit të jetesës për banorët e kësaj zone, me qëllim kthimin e Durrësit në qendër kryesore turistike më parametra europianë.

/S.L.  agjencia e lajmeve “Dyrrah”/