Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka takuar ekipin e Teutës në basketboll meshkuj i cili ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm këtë sezon ku për herë në historinë e basketbollit shqiptar një ekip nga Shqipëria arrin në finale të Ligës Ballkanike.

Po kështu Teuta ka fituar edhe kupën e Shqipërisë si dhe superkupën ndërsa është pretendente për të fituar titullin kampion kombëtar teksa ka siguruar finalen. Në këtë takim ka qenë i gjithë ekipi i Teutës i përbërë nga Wilson, Gorea, Shestani, Hamati, Hoxha, Lasku, Hysenagolli, Mirdita, Brown, Vilotijevic, Sabahi, Shehi, Llalla, trajneri Xhelal Kalaja, presidenti i ekipit Arqile Gorea dhe shefi i klubit shumësportësh Kreshnik Leka.

Kryebashkiaku Dako ka falenderuar ekipin e Teutës për sukseset e arritura ndërkohë që ka deklaruar se mbështetja e madhe që ka dhënë deri tani bashkia e Durrësit do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Dako i ka premtuar ekipit durrsak që nëse fiton titullin kampion do të marrin edhe një premio speciale nga ana e Bashkisë. 

Presidenti i ekipit Arqile Gorea në emër të ekipit falenderoi kryebashkiakun Dako dhe bashkinë e Durrësit për mbështetjen që i kanë dhënë ekipit dhe në sajë të kësaj mbështetjeje dhe punës e lojës me shpirt të basketbollistëve të talentuar janë arritur suksese kaq të mëdha. Gorea deklaroi se lojtarët e Teutës në sajë të shpirtit që vunë në fushën e lojës arritën të mundnin në ligën ballkanike ekipe tepër të forta dhe me traditë në basketbollin ballkanik. 

Shefi i klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Leka deklaroi se tashmë ky sukses i basketbollit durrsak ka mbushur plot shkallët e pallatit të sportit Ramazan Njala dhe se në sajë të mbështetjes së bashkisë ku sot mbështetja financiare për basketbollin është më e madhja se çdo vit tjetër dhe sukseseve të arritura nga ekipi i Teutës, basketbolli durrsak po përjeton ditët e tij më të mira në histori. 

Teuta i ka dhënë Durrësit deri tani dy trofe kombëtare si dhe medaljet e argjendta në Ligën Ballkanike ndërkohë që është në finale ku do të përballet për të fituar titullin kampion kombëtar.