Nga Mila Ballhysa

Nëse i hedh një sy profilit të kryeministrit Edi Rama në rrjete sociale gjatë ditës së sotme, situata në Durrës e Shijak duket solare.

Kreu i qeverisë ka shkuar sot në Manzë, të bashkisë Durrës për të dorëzuar çelësat në dy familje, shtëpitë e të cilave u shpallën të pabanueshme pas tërmetit të 26 nëntorit. Me këtë rast nuk mungoi edhe dollia me raki, madje edhe ndonjë i dalldisur që i uronte të fitonte mandatin e pestë! (A thua se për këtë mandat do të ishin të nevojshme të mbaheshin zgjedhje…)

Ndërkohë në Maminas, të bashkisë Shijak kryeministri vizitoi një kompani private që kishte ndërtuar një serë ultramoderne për fidanët perimorë. Deri këtu duket se çdo gjë është në rregull, mbarësia është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.

Por përtej kësaj fasade qeveritare plot diell, të garantuar nga dora e ngrohtë e ekzekutivit, zona të tëra në Durrës e Shijak ishin sot nën ujë.

Shtëpi, rrugë, kultura bujqësore nën pushtetin e ujit. Familje të evakuuara për shkak se u rrezikohej jeta prej nivelit të lartë të ujit.

Dëme të shumta materiale, për të cilat familjet nuk kanë bërë ende bilancin, pasi autoritetet nuk dihet nëse do ta bëjnë.

Dhjetëra hektarë tokë që sot i përngjanin tokave liqenore dhe pemë frutore të rrethuara nga rreth 1 metër ujë.

Kryebashkiaku i Shijakut Elton Arbana njoftoi edhe shtyrjen e mbledhjes së radhës së Këshillit Bashkiak pasi situata në terren ishte kritike dhe kishte kërkuar mbështetje nga Ministria e Mbrojtjes për t’u ardhur në ndihmë banorëve.

Por përmbytja e Durrësit dhe Shijakut ishin larg fokusit të kamerave qeveritare, pasi kryeministri nuk mund të dilte e të thoshte se falë investimeve të realizuara gjatë këtyre viteve banorët pësojnë përmbytjen e radhës!

Një natë më parë, lagje e rrugë të Durrësit ishin nën pushtetin e ujit, ashtu siç kanë qenë çdo vit, madje disa herë në vit.

Edhe këtu, investimet në infrastrukturë dhe kanalizime nuk kanë mundur të shmangin përmbytjet.

Ashtu siç investimi më i fundit për rikonstruksionin e shëtitores “Taulantia” nuk e shpëtoi këtë të fundit nga pellgjet gjigande plot ujë.

Duket se çdo lek i hedhur kontribuon gjithnjë e më shumë që Durrësit të mos i ndahet përkufizimi “Venecia e vogël”!

Zot na ruaj nëse janë të shumtë ata që i urojnë Ramës mandatin e pestë!