Nga Bledar Kurti
Sot, këtë mbrëmje, dy mijë vjet më parë ndodhi në të vërtetë darka e fundit e Krishtit. Ndër momentet më të rëndësishme për rrjedhën e historisë njerëzore dhe besimin. Por edhe në rrjedhën e artit pasi është momenti më ikonik në artin pamor botëror. E ndër veprat e shumta mbi këtë skenë të jetuar e domethënëse, më e njohura dhe më kryevepra është Darka e Fundit e Leonardo da Vinci-t.
Darka e Fundit (1495–1498), e Leonardo da Vinci (1452–1519) është vepra madhështore e gjendur në një prej mureve të mensës së manastirit të Santa Maria delle Grazie në Milano,
Kur Leonardo nisi të pikturonte afreskun, spektatorë të ndryshëm vinin e uleshin me qetësi vetëm që ta shikonin teksa ai punonte. Krijimi i veprave artistike, ashtu si edhe diskutimet mbi shkencën dhe filozofinë, në shumë raste shndërroheshin në ngjarje publike. Sipas shënimeve të një prifti të atij manastiri, Leonardo do shkonte herët në mëngjes, do montonte skelën e më pas do pikturonte me penel në dorë nga agimi deri në muzg, duke harruar të hante apo pinte, duke pikturuar pa ndërprerje. Megjithatë, kishte raste që në ditë ndryshme të mos pikturonte aspak. Ai do qëndronte përpara veprës për një apo dy orë duke u menduar në heshtje, duke analizuar e kritikuar me vete figurat që kishte krijuar. Kishte edhe nga ato ditët dramatike kur ndërthurej mania dhe pasioni i tij për t’i zvarritur gjërat. Sikur të ishte zaptuar nga një kapriço apo pasion i momentit, pa pritur e pa kujtuar, ai do shkonte në mes të ditës, ngjitej në skelë, merrte penelin, hidhte ndonjë penelatë tek njëra nga figurat e veprës, e pastaj largohej.
Në këtë vepër është vënë në zbatim perspektiva lineare, të cilën artistët e Rilindjes e aplikonin në çdo vepër të tyre për të sjellë një realitet më të natyrshëm në pikturë. Të gjitha linjat të çojnë te Krishti, i cili është edhe qëllimi i kësaj vepre dhe mesazhi kryesor që kërkon të japë Leonardo. Të gjitha figurat në afresk i përkasin një forme gjeometrike, ndaj trekëndëshat, rrathët dhe drejtkëndëshat janë kudo në funksion të perspektivës dhe gjeometrisë.
Kjo është një tablo lëvizjesh. Por, në këtë larmi ka aq shumë rregull dhe në këtë rregull ka aq shumë varietet, saqë ndërthurja harmonike e lëvizjes dhe reagimit ndaj saj duket sikur nuk shteron kurrë. Asnjëherë më parë ky episod biblik nuk ishte dhe vazhdon të duket aq i afërt dhe jetësor.
Në këtë afresk të Leonardos përshkruhen reagimet e apostujve pasi Jezusi u thotë atyre se, “Njëri nga ju do të më tradhëtojë.” Në pamje të parë duket si një moment i ngrirë i ngjarjes, sikur Leonardo ta ketë kapur skenën me shpejtësinë e syrit të tij të mprehtë, duke e ndalur kohën, e duke e ruajtur vetëm në një moment. Darka e Funditë shtë guri i themelit për artin evropian, dhe vështirë të gjenden fjalët e duhura për të përshkruar atë moment fotografik të kohës përmes lëvizjeve mjeshtërore.
Drama nis fill pas fjalëve të Jezusit. Koka e tij është e ulur në heshtje ndonëse duart janë në lëvizje për nga buka. Ashtu si një gur i hedhur në një pellg, deklarata e tij shkakton valë që përhapen për nga jashtë, duke u shpërndarë nga ai e deri tek skajet e afreskut, duke krijuar kështu një reagim trillues të historisë. Teksa fjalët e Jezusit lenë pas ekon e tyre, momentet pasuese të ungjillit bëhen pjesë të kësaj drame. Në vargjet e Ungjillit sipas Mateut shkruhet, “Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyre filloi të thotë: Mos jam unë, Zot?” Ndërsa te Ungjilli sipas Gjonit shkruhet, “Atëherë dishepujt u panë njëri me tjetrin, por nuk arritën të kuptonin për kë po fliste.” Edhe pse tre dishepujt në cepin e majtë të veprës janë në reagim e sipër, të tjerët sapo kanë nisur të reagojnë apo të pyesin njëri-tjetrin.
Përveçse shohim portretizimin e lëvizjes të kapur në një moment të vetëm, Leonardo ishte mjeshtër në përshkrimin e moti dell’anima, lëvizjet e shpirtit. Darka e Fundit është shembulli më i mirë dhe më drithërues i lidhjes midis gjesteve dhe mendimeve në mbarë historinë e artit.
Jezusi, i pozicionuar në qendër të veprës, me gojën pakëz të hapur, sapo ka mbaruar së bëri deklaratën e tij. Shprehitë e figurave të tjera janë të forta, paksa të ekzagjeruara, sikur të ishin aktorë të një drame të vënë në skenë. Por shprehia e Jezusit është e qetë dhe e paqtë. Ai duket gjakftohtë dhe jo i shqetësuar. Ai është paksa më i madh në madhësi sesa apostujt, ndonëse Leonardo e mbuloi me zgjuarsi faktin që e kishte përdorur këtë dredhi. Dritarja e hapur, me peizazhin e shndritshëm përtej, formon një aureolë natyrale. Manteli i tij është pikturuar me ngjyrë blu, një nga pigmentet më të shtrenjta të kohës. Tek studimet e tij mbi optikën, Leonardo kishte zbulura se objektet që kanë një sfond me dritë duken më të mëdha sesa ato që kanë sfond të errët.
Dora e djathtë e Jezusit është e drejtuar për nga një gotë e mbushur deri në çerek me verë të kuqe. Një detaj tejet i çuditshëm është se, gishti i tij i vogël shihet përtej qelqit të gotës. Pas gotës gjendet një pjatë dhe një copë bukë. Dora e tij e majtë e ka pëllëmbën për nga lartë, duke treguar për nga një copë tjetër buke, të cilën e sheh më vështrimin e tij me kokën e varur poshtë. Perspektiva dhe kompozimi i veprës, sidomos e parë nga dera ku hynin murgjit për në sallën e ngrënies, udhëheqin vështrimin e shikuesit për të ndjekur vështrimin e Jezusit, i cili zbret përmes krahut të majtë te copa e bukës.
Ai vështrim i referohet sakramentit kishtar të Kungimit. Në Ungjillin sipas Mateut, kjo ndodh pas deklaratës që ai bëri se do të tradhëtohet: “Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, ia dha dishepujve të tij, dhe tha, ‘Merreni, hani, ky është trupi im.’ Më pas ai mori kupën, bëri lutjen e falenderimit, dhe ua dha atyre, e tha, ‘Pini ju të gjithë, sepse ky është gjaku im i beslidhjes së re, i cili derdhet për larjen e mëkateve.’” Kjo pjesë e historisë shpërndahet si valë nga Jezusi për tek të tjerët, duke shkaktuar kështu si reagimet për zbulimin se Juda ishte ai që do e tradhëtonte, ashtu edhe themelimin e Kungimit, si një sakrament të shenjtë.
Dymbëdhjetë apostujt janë të grumbulluar në katër grupe prej nga tre veta. Me pamje të errët, të shëmtuar dhe me hundë të kërrusur, Juda i ka ngulur thonjtë e dorës së djathtë te qesja me argjend që i është dhënë për të tradhëtuar Jezusin, fjalët e të cilit ai e di që janë për të. Ai tërhiqet paksa me shpinë, dhe rrëzon me krah kupën e kripës (e cila duket shumë qartë në kopjet e para por jo te vepra që kemi sot) në një gjest famëkeq. Ai largohet nga Jezusi dhe është pikturuar në hije. Edhe teksa trupi i tij zmbrapset dhe spërdridhet, dora e tij e majtë drejtohet për nga buka që ai dhe Jezusi do ndajnë me njëri-tjetrin, e cila edhe do shpallë fajtorin. “Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhëtojë,” thotë Jezusi, te Ungjilli sipas Mateut. Te Ungjilli sipas Markut shkruhet, “Ju them në të vërtetë, dora e atij që do të më tradhëtojë gjendet me mua në këtë tryezë.”
Në afresk, Pjetri dallohet menjëherë. Ai është i kurdisur prej acarimit, me supet e ngritura plot mërzi. “Tradhëti ndaj teje? Tradhëtar? Për kë e ka fjalën zoti ynë?” pyet ai. I shquar për gjaknxehtësi ai është mëse i gatshëm të veprojë. Në dorën e tij të djathtë ka një thikë të gjatë e cila është një parashikim për aktin e tij të mëvonshëm, kur në po atë mbrëmje ai do priste veshin e një prej shërbëtorëve të kryepriftit, duke u munduar të mbronte Jezusin nga ata që kishin ardhur për ta arrestuar.
Pas figurave janë tri dritare dhe duket që përtej tyre është ditë dhe jo natë, fakt që bie në kundërshtim me titullin e afreskut, por edhe me kulturën hebraike që darkonte për festa pas perëndimit të diellit. Por dhoma ku u bë ky afresk nuk kishte dritare, ndaj Leonardo improvizoi me dritaret në pikturë për të shtuar dritë artificiale. Tri dritaret simbolizonin trinitetin, por edhe sillnin dritë artificiale në dhomë. Por, nuk ishte problem, askush nuk e kritikoi, arti është trillim, ai jep një mesazh dhe Leonardo e dha mesazhin e tij të Krishtit ndaj apostujve dhe ndaj shikuesve të kësaj vepre. Prandaj, edhe mbi tavolinë nuk ka ushqim mjaftueshëm për trembëdhjetë veta, as edhe gota vere, pasi këtë banket të varfër me ushqime e mbushin shpirtërisht ata që janë në të.
Ajo që duket më qartë në perspektivën e veprës Darka e Fundit është pika qendrore, drejt të cilës të gjitha linjat e vështrimit drejtohen dhe takohen. Këto vija që largohen nga syri i shikuesit, ose vijat ortogonale, të çojnë të gjitha te balli i figurës së Jezusit. Kur nisi punën, Leonardo nguli një gozhdë të vogël në qendër të murit. Arrijmë ende ta shohim vrimën e gozhdës në anën e djathtë të kokës së Jezusit. Më pas, nga ajo pikë ai bëri skalitje të vogla në mur të cilat rrezatonin për nga jashtë. Këto do ndihmonin të drejtonin linjat paralele në atë dhomën imagjinare, si për shembull trarët në tavan dhe majat e sixhadeve, teksa zhduken drejtë pikës së shuarjes në pikturë. Për të kuptuar se si Leonardo e manipuloi në mënyrë të jashtëzakonshme perspektivën e kësaj pikture, shiko me vëmendje sixhadet e varura në dy anët e murit. Majat e sixhadeve formojnë linja që takohen te balli i Jezusit, ashtu si edhe të gjitha linjat e tjera të perspektivës. Këto sixhade u pikturuan në mënyrë të atillë që duken sikur janë në të njëjtën linjë me sixhadet e vërteta në sallën e ngrënies, duke krijuar kështu iluzionin se piktura ishte vazhdim i dhomës.
Krishti është figura boshtore në këtë afresk. Ai ndodhet në qendër në përshtatje me natyrën e tij hyjnore dhe me rëndësinë e kësaj tematike të veprës. Bëj një eksperiment të vogël: bashkoi tërthorazi këndet, dhe do shikosh një X të madh në qendër të veprës, me pikën qendrore ballin e Krishtit. Ajo pikë është pika e konvergjencës, personifikimi i Perëndisë, shpalosja e së vërtetës universale. Duke e ndërthurur këtë sistem matematikor me aftësinë e tij artistike, Leonardo ka pikturuar me mjeshtëri një imazh harmonie dhe idealizmi brenda kredos së Krishterë.
Trupi i Krishtit ka formën e një trekëndëshi barabrinjës. Ai qëndron i ulur në një ndenjëse brenda një hapësire që gjurmon formën e një rrethi. Këto forma gjeometrike ideale i referohen përqendrimit të madh që kishte Rilindja me Neo-Platonizmin (një element i ringjalljes humaniste që pajton aspekte të filozofisë greke me teologjinë e krishterë). Në alegorinë e tij, Shpella, filozofi i lashtë grek Platoni theksoi papërsosmërinë e jetës tokësore. Gjeometria, e përdorur nga grekët për të shprehur përsosmërinë qiellore, është përdorur nga Leonardo për të festuar Krishtin si mishërim i qiellit në tokë.
Përmes afreskut monumental Darka e Fundit, gjenialiteti i Leonardos i prezantohet epokave në mënyrë madhështore, dhe arti shpaloset në një formë të re. Risia është qëllimi i artit, një forcë pararojë, e cila mbart të gjithë dijen epokale të historisë njerëzore dhe e udhëheq botën drejt së ardhmes.