Sipas një studimi, një në dhjetë amerikanë e ndoqën debatin e parë presidencial duke lexuar njëkohësisht lajme në internet. Kompjuterat dhe pajisjet teknologjike të dorës po transformojnë shpejtësinë dhe mënyrat me anë të të cilave votuesit marrin informacionet në lidhje me kandidatët. Mediat sociale në internet si Twitter dhe Facebook janë duke zëvendësuar në mënyrë të vazhdueshme burimet tradicionale të informacionit, për një brez të ri votuesish.

Shumë studentë amerikanë thonë se i kanë marrë informacionet politike jo nga televizioni apo burimet tradicionale të lajmeve, por në mënyrë të menjëhershme, përmes telefonit. Informacioni vjen në telefon nëpërmjet faqeve në internet të mediave sociale si Facebooku dhe Twitteri, popullariteti i të cilave është rritur ndërkohë që më shumë amerikanë zotërojnë pajisje portative.

Qendra Kërkimore Pew tha se gjatë debatit të parë mes presidentit Barak Obama dhe sfiduesit të tij republikan, Mitt Romney, një në dhjetë amerikanë e ndoqën debatin duke lexuar njëkohësisht lajme rreth tij në kompjutera ose në telefona. Adam Sharp i kompanisë Twitter thotë se trafiku në faqen e tyre të internetit shkon nga rreth 1 mijë mesazhe në minutë në mbi 100 mijë gjatë debateve.

Me anë të grafikëve të mesazheve në Twitter, ai mund të analizojë se si debatet janë duke u pritur nga publiku amerikan, në mënyrë të menjëhershme. "Një ose dy breza më parë, mund të na duhej të prisnim gazetën e mëngjesit të ardhshëm, për të mësuar se çfarë ndodhi këtë mëngjes gjatë fushatës.

Sot, në Twitter, jemi në gjendje të ndjekim ngjarjet ndërsa ato zhvillohen dhe mund t’u qëndrojmë më afër kandidatëve dhe aktiviteteve në kohë reale",- shtoi Sharp. Zgjedhjet e këtij viti mund të shërbejnë si një provë mbi mënyrën se si këto burime të reja informacioni do të ndikojnë tek rezultati.