17 qershor 2015 – Teksa ditët rrokullisen e të ftojnë me shpejtësi drejt kutisë së votimit, pëson një çoroditje qytetare të pazakontë, që vjen duke u shtuar, ndërsa pret të qartësohesh. Vërtet ke vetëm një votë, po përmes saj do të jesh e bindur se ke zgjedhur kandidatin e duhur, alternativën e duhur, atë që do të çojë përpara qytetin tënd; që do të të japë mundësinë të rrisësh fëmijë më të edukuar e gëzuar; që do të ta bëjë vendbanimin një vend më të dashur dhe do të të ndihmojë të braktisësh atë mendimin “e pisët” që si çekan të rreh gjithnjë e më shpesh e të fton të marrësh arratinë nga ky vend “që s’bëhet”.

Dy kandidatët për Durrësin deklarojnë bindshëm fitoren. Edhe sondazhe të ndryshme që inkurajojnë votuesit, veçanërisht ata të lëkundurit, bëjnë të njëjtën gjë. Gara për Durrësin është bërë nga më interesantet në vend. Përplasja mes aleatëve të djathtë për zgjedhjen e kandidatit të opozitës ndodhi për Durrësin. Incidentet e para të fushatës ndodhën po në Durrës, ku nisën dhe akuzat e para për manipulim të listave të zgjedhësve dhe fillimin e hetimeve. Këto dhe emrat e dy garuesve me dritë-hijet e tyre e zhvendosën vëmendjen në Durrës. E së fundmi raporti i tyre në përballjen e munguar me njëri-tjetrin.

Sytë e të gjithëve ishin drejtuar në ekranin e Top Channel për të ndjekur të parën përballje televizive dhe publike mes kandidatëve Grida Duma dhe Vangjush Dako. Një informacion i mbërritur para fillimit të Top Show se kandidatja Duma ishte tërhequr për shkak të formatit të debatit më tingëlloi jo i besueshëm, pasi ishte ajo që e kishte ftuar publikisht në debat nga ky ekran dhe po aty Dako iu përgjigj ftesës. Deri në këtë të martë të fundit ishte kandidatja Duma që kishte përparësi ndër votues për të qenit e hapur ndaj debateve, ndërsa rivali përpiqej t’u shmangej. Nisja e transmetimit i befasoi ata që ndodheshin para ekranit. Përballë moderatorit u shfaq i vetëm Vangjush Dako që kërkon të rikonfirmohet për herë të tretë në krye të Bashkisë sonë. A duhej braktisur debati me një letër në redaksi?

Një ditë më pas nis dhe strategjia-lojë për të argumentuar tërheqjen, pa u kujdesur aspak për ata qindra mijëra njerëz që ishin ngulur para ekranit për të ndjekur debatin, qoftë dhe me pyetje të parapërgatitura e një platformë për të cilën ka një dakortësi paraprake nga palët e që nuk mund të ndryshojë ditën e fundit.

Ndër më të përqëndruarit, ata që lanë thuajse gjithçka për ta ndjekur debatin ishin ata qytetarë që ende nuk kanë vendosur për kë kandidat duhet të votojnë. Nuk u respektuan. U ndjenë thuajse të tradhtuar në një marrëdhënie ende të pazyrtarizuar, po faktike votues- i/e votuar. Argumenti i tërheqjes për shkak të mospranimit të videove me fakte për tentativa të blerjes së votës etj. nuk qëndron. Nuk ka qytetar në Republikën e Shqipërisë që të dyshojë se kjo nuk ndodh edhe pse në 2015-n.

Qytetarët prisnin të ndiqnin kandidatët me alternativat, platformat dhe idetë e tyre të vëna përballë njëra-tjetrës, për t’u mirëorientuar në votën e tyre, të vetmen armë për të shprehur vullnetin, të drejtën e tyre mbi fatet e qytetit në një sistem demokratik ende problematik.

Ishim në pritje për të marrë përgjigje si do të luftohet për një ekonomi lokale që funksionon për të gjithë, jo vetëm për ata që janë në majë. Donin dhe duan të dinë si do të zgjidhet nga secili prej tyre furnizimi problematik me ujë të pijshëm; mirëmbajtja dhe investimi në rrjetin e kanalizimeve; idetë konkrete për të luftuar punën në të zezë dhe çeljen e vendeve të reja të punës; si do të zgjidhet mungesa e parqeve, këndeve të lojërave për fëmijët; mungesa e çerdheve dhe kopshteve në periferi dhe kapacitetet e cunguara në ato ekzsituese që mbërthejnë në shtëpi mjaft nëna. Duan të dinë a kanë ndonjë plan për të siguruar ngrohjen e munguar në shkolla, rehabilitimin e nyjeve hidrosanitare të disa shkollave në bashkinë aktuale të Durrësit që janë jashtë çdo standarti të pranueshëm dhe vatër epidemish për nxënësit e stafet pedagogjike, pa pritur ndërtimin e shkollave të reja në oborret e tyre. Donim të dëgjonim si do të ndryshojë menaxhimi i bregdetit dhe sezonit turistik. Nuk mjafton thjesht të thuhet se do të ndalohet betonizimi, po çfarë do të bëhet konkretisht me gjendjen aktuale të bregdetit të betonizuar frikshëm këto 25 vjet. Si do të zgjidhet mungesa e plazheve të pastra e të sigurta, mungesa e hapësirave për plazhe publike etj.? Si do të veprohet me zbutjen e problemit të të pastrehëve dhe si do të mbështeten kategoritë sociale në nevojë? Si do të mundësojë kryebashkiaku i ardhshëm zbatimin e ligjit për “Administratorët e Pallateve”, një ligj i pazbatuar deri më sot e që tregon paaftësi në menaxhimin e konflikteve qytetare që rrjedhin nga moszbatimi i tij nga administrata bashkiake. Shumë votues duan të dinë dhe për komunikimin që do të ketë pas 21 Qershorit kandidati fitues me qytetarët, pasi ka një mungesë të theksuar komunikimi mes të zgjedhurit dhe qytetarëve, grupeve të interesit për investime të rëndësishme publike në qytet, që shpesh nuk harmonizohen me njëra-tjetrën, me infrastrukturën ekzistuese dhe orientohen në drejtime qoftë dhe të pakuptueshme për qytetarët që duhen sqaruar në takime publike. Me të drejtë shumë qytetarë ndajnë mendime të ndryshme mbi qendrën e qytetit të mbaruar në kohë rekord e që ka nxjerrë në pah godinat jo-administrative të qytetit, Xhaminë e madhe dhe pallatin shumëkatësh në krah të bashkisë, ndërsa fare mirë mund të dilte në pah lidhja e sheshit me Amfiteatrin Antik.

Përtej problemeve të qytetit aktual të cilat nuk mbarojnë me ato të renditura më lart,  banorët e komunave janë të frikësuar nëse shërbimet e Bashkisë së madhe bregdetare do të mbërrijnë deri te ta. Bëhet fjalë për ndërtimin e kanalizimeve për ujërat e zeza, mbylljen e gropave septike, mirëmbajtjen e kanaleve kulluese, vaditjen e tokave, marrjen e shërbimeve administrative pranë vendit të banimit e jo në Durrës ku u duhet të shpenzojnë kohë e para dhe shumë çështje të tjera, nga ato që kryebashkiakëve të ardhshëm mbase u duken të ditura. E nëse mendojnë se i kanë dëgjuar zgjidhjet që propozojnë në edicionet informative të dhjetëra televizioneve, a në faqet e tyre personale në rrjetet sociale kanë gabuar. Moria e informacionit elektoral gjatë fushatës vjen e përzgjedhur në debate televizive e këto ndiqen më së shumti.

Stafi i kandidates së tërhequr nga debati në një nga televizionet kombëtare me audiencën më të lartë në vend nxitoi t’i vinte një numër tërheqjes së kandidatit rival nga një debat i organizuar në një lokal nga Shoqata e kontabilistëve të Durrësit dhe jo vetëm kaq. Nxitoi të theksojë mosrespektimin e qytetarëve (?!). Po ne jo-kontabilistët kush na respektoi? Stafi i rivalit Dako nxitoi më pas të thotë se Duma gënjen e të tregojë të vërtetën e vet.

Natën e së martës, kandidatët humbën shansin për të ofruar së bashku idetë, alternativat, projektet e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta dhe zhvillimin social-ekonomik të Durrësit të madh. Ne, qytetarët “gri”, të pavendosur, përfshirë dhe shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit e që do të vijnë për të votuar, humbëm një shans të mirë për të vendosur mbi votën tonë në këtë 21 qershor.

Do të na duhet të zgjedhim atë që rëndom në biseda me njëri-tjetrin e quajmë “e keqja më e vogël”, pasi nuk ka dyshim që nuk presim të votojmë kandidatin më të mirë në këto zgjedhje vendore.