Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me deklaratat e kreut të SPAK, Klodian Braho për çështjen e ish-zv.kryeminitres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij Bardhi është shprehur se është shumë e rëndësishme që SPAK të zbatojë ligjin, ndërsa theksoi se ‘nuk duhet të presin deri sa ish-zv.kryeministrja të arratiset’.

“Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin. Ligji është i njëjti me atë të dhjetorit të kaluar, kur drejtuesi i SPAK deklaroi se “kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit”, u shpreh ai.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

SPAK-u ka vendosur politikën përpara ligjit për imunitetin e Belinda Ballukut. Ajo që deklaroi sot drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për çështjen Balluku konfirmon se standardi i dyfishtë për të sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit është në veprim. Përndryshe, nuk ka sesi drejtuesi i SPAK-ut të deklarojë sot, nga njëra anë, se “mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton atë”, dhe, nga ana tjetër, të mos veprojë në mbrojtje të hetimit duke mos sjellë në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e ish-zëvendëskryeministres.

Më shumë se mungesa e masës së sigurimit, hetimin dhe drejtësinë e dëmtojnë standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër të ndryshëm në qershor 2026.

Në vend që të bëhet bashkëfajtor me Edi Ramën në mbrojtjen antikushtetuese dhe antiligjore të Belinda Ballukut, në kushtet kur, një muaj më parë, SPAK bëri publik sekuestrimin e vilës së fshehur dhe akuzën e re të pritshme të korrupsionit dhe pastrimit të parave, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u detyrohet shqiptarëve disa përgjigje, për të cilat hesht prej një jave:

-Pse, tani që vetë SPAK ka bërë publik rëndimin e pozitës penale të Belinda Ballukut me dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash, nuk i drejtohet Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj?

-Kush po e pengon Prokurorinë e Posaçme të zbatojë ligjin, kur ligji dikton se, me rëndimin e pozitës penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit, pikërisht standardi që vetë SPAK vendosi në dhjetor?

-A ka ndërhyrë Edi Rama te drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme për të shtyrë, të paktën deri në shtator, zbatimin e ligjit dhe të të njëjtit standard në çështjen Balluku?

Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin. Ligji është i njëjti me atë të dhjetorit të kaluar, kur drejtuesi i SPAK deklaroi se “kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit.”

Shpresoj shumë që, në SPAK, të mos jenë duke pritur edhe arratisjen e Belindës dhe më pas të lajnë duart si Ponc Pilati.