Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO ka marrë vendimin dhe ka shpallur fajtor ish-oficerin e policisë gjyqësore Igli Haxhiaj, i akuzuar për disa vepra penale që lidhen me shpërdorim detyre, pas dyshimeve se dekonspiroi hetimet ndaj grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës.
Sipas vendimit, Haxhiaj u dënua fillimisht me 4 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.
Vuajtja e dënimit do të llogaritet nga data 27 nëntor 2025 dhe ai do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Po ashtu, Haxhiaj është ndaluar të ushtrojë funksione publike për 5 vite. Vendimi u dha nga trupi gjykues i GJKKO-së, ndërsa shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar të pandehurit.
Pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin SkyECC, SPAK administruar biseda të shumta mes tij dhe Denis Myftiut i akuzuar si pjesë e grupit kriminal, ku flitet për pazare lidhur me dhënien e informacioneve kundrejt pagesave që varionin nga 5 deri në 15 mijë euro.
Njoftimi i plotë:
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Igli Haxhiaj, i akuzuar për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga nenet 248, 295/a, paragrafi (3) dhe 319/ç i Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Marinela Osmani dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 63, datë 30.07.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a, paragrafi i 3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 (tre) vjet dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Igli Haxhiaj, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 2 (dy) vjet e (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin e të pandehurit Igli Haxhiaj me një dënim të vetëm prej 4 (katër) vjet burgim.
5. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, të pandehurit Igli Haxhiaj, i ulet 1/3 e masës së dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
6. Vuajtja e dënimit fillon nga dita e ndalimit më datë 27.11.2025 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
7. Bazuar në nenin 35 të Kodit Penal, të pandehurit Igli Haxhiaj i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
8. Shpenzimet e kryera gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit Igli Haxhiaj.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar





