Mjekja e njohur Nadire Jani është larguar pak ditë më parë nga drejtimi i Spitalit Rajonal Durrës, post të cilin e mbante prej muajit maj 2018.

Pas një angazhimi prej disa dekadash si mjeke infeksioniste pranë spitalit të Durrësit, Jani u emërua në këtë post pas dorëheqjes së parevokueshme të Alban Ramohitajt.

Mjekja Jani shërben prej disa dekadash në spitalin e Durrësit, ku për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e shefes së repartit infektiv.

Mjekja Jani ka mbrojtur titullin Doktore Shkencash në fushën e mjekësisë.

Ajo ka bërë një sërë specializimesh dhe trajnimesh si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij, si dhe është trajnuar për menaxhim të sistemit shëndetësor të rrethit.

Ndërkohë në vitet 2000-2004, Nadire Jani ka mbajtur postin e drejtoreshës së Shëndetit Publik në Durrës.

Emri që përflitet për të zëvendësuar Janin

Prej disa ditësh përflitet se vendin e Janit do ta zërë Pamela Bardhaj, kryetarja e Komisionit të Buxhetit dhe Financave në Këshillin Bashkiak Durrës dhe njëkohësisht administratore e kompanisë Duni Port Agency.

Deri më tani nuk ka emërim zyrtar, por emri i Bardhajt ka nisur të përmendet në korridoret e spitalit dhe mes bluzave të bardha.