Totali i depozitave në sistemin bankar zbriti në 1.25 miliardë lekë në muajin prill, duke vijuar tendencën tkurrëse për të tretin muaj radhazi.

Në krahasim me muajt e mëparshëm, kursimet kanë rënë me 1.1%, ose 14.3 miliardë lekë më pak.

Rënia është ndikuar si nga monedha e huaja ashtu dhe nga ajo vendase, por rënia e kursimeve në valutë lidhet më shumë me efekt statistikor nga zhvlerësimi i euros, teksa të dhënat raportohen në lekë.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë ishin 543 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1% (-5.98 miliardë lekë).

Rënia e depozitave në lekë u ndikua si nga korporatat financiare dhe jo financiar ashtu dhe nga individët. Këta të fundit, ndonëse janë rritur normat e interesit të depozitave sërish nuk po i shtojnë kursimet në banka, “të joshur” nga kthimet më të larta në letrat me vlerë të qeverisë.

Në valutë, depozitat zbritën në 711 miliardë lekë, me një tkurrje prej 1.2% në krahasim me muajin e mëparshëm (-8.3 miliardë lekë), por tkurrja është e ndikuar nga zhvlerësimi i euros, që përbën pjesën më të madhe të kursimeve në valutë.

Në rënie ishin kryesisht depozitat në valutë të individëve, ndërsa ato të korporatave shënuan rritje.

Gjithsesi, të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë, që raportojnë ecurinë e kursimeve në monedhën përkatëse tregojnë se depozitat në valutë në euro kanë shënuar rritje të vazhdueshme muajt e fundit.

Me bazë vjetore, në prill depozitat janë rritur me 2.1%, duke u ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Kursimet në valutë janë rritur me 3.1% dhe ato ne lekë me vetën 1.1%.

Kursimet në valutë vijojnë të jenë më të preferuara, duke zënë 56.7% të totalit në prill 2023, nga 56.2% në të njëjtin muaj të një viti më parë. /Monitor

Burimi: BSH