Të gjithë personat e shoqëruar për t’u marrë në pyetje nga policia për llogari të hetimit të avionit të drogës të rënë dje në Ishëm, janë liruar pas dhënies së dëshmisë. I lirë pas marrëveshjes me Prokurorin është lënë edhe 69-vjeçari italian. Piloti i avionit në 02:00 të mëngjesit është kthyer nga avioni i tij, i shoqëruar me një patrullë policie dhe agjentësh, ku mori GPS-in si provë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Në dëshminë e dhënë, piloti italian tregoi se nga Milano kish sjellë në Bari dy shtetas italianë. Në Bari i ishin dorëzuar hartat e pistës në Ishëm, ku erdhe mbërriti me avion, për të testuar këtë pistë. Kundrejt marrëveshjes, piloti italian bëri publikë emrat e shqiptarëve porositës të drogës në Milano, dhe atyre në Shqipëri.
Pronarët e tokës kanë thënë se tokën ua kishin dhënë me qira afatgjatë personave që e kishin kërkuar atë. Personat që e kishin marrë me qira kishin bërë me dije se do të ndërtonin një pistë hipizmi dhe për këtë arsye do të sheshonin tokën që të garonin me kuaj.
Është një sipërfaqe prej rreth 500 apo 700 metrash gjatësi e cila është kthyer në pistë, por avioni “Piper” i pilotuar nga Guido Giudi, nuk është ulur në këtë pistë, por në arën e pasheshuar, aty ku i mbetën e rrotat e avionit që përfundoi në mes të shkurreve.
Pas marrjes së dëshmive të banorëve të fshatit Likmetaj, çobanëve të zonës që panë rënien e avionit, dhe dëshmisë së pilotit italian, për prokurorin e Krimeve të Rënda, të gjithë të shoqëruarit janë lënë të lirë nga prokurori i Krimeve të Rënda.
Burimet policore bënë me dije se avioni tip “Piper” do të mbahet nën mbikëqyrje të policisë deri në zhvendosjen e tij. Por zhvendosja e avionit është pothuajse e pamundur nga policia për shkak të terrenit të vështirë moçalor, dhe rrugës së amortizuar.
K.H.





