Duhej të ishte një nga goditjet e rëndësishme të merkatos së verës, por transferimi i Lukas Pakueta te Mançester Siti nuk do të realizohet. Palët kanë ndërprerë bisedimet pasi është mësuar se Federata Angleze ka hapur një hetim për futbollistin, i akuzuar se vendos baste që nuk lejohen me rregullore mbi aktivitete në të cilat merr pjesë.Dëmtimi i Kevin De Bryjn mendohej se do të afronte firmën me lojtarin, që do të kushtonte rreth 90 milionë euro. Por bisedimet janë ndërprerë në mënyrë të menjëhershme pasi u mësua se 25-vjeçari brazilian ishte nën hetim për shkelje të vazhdueshme.

Sipas “Daily Mail”, pritet qe Pakueta të dalë para komisioneve të federatës dhe të japë versionin e tij të ngjarjeve për shkeljet që raportohet se janë kryer nga ai, në një kampionat ku rregullat për vendosjen e basteve sportive nga lojtarë janë shumë strikte. Sulmuesi i Brentford, Ivan Tonej, u pezullua për 8 muaj pasi u zbulua se kishte vënë baste qindra herë për ndeshje të ndryshme.