Detaje te reja janë zbuluar për aksidentin e ndodhur një ditë më parë me dy viktima në zonën e Malit të Robit në Kavajë. "ABC News" ka mësuar nga ekspertët e Policisë Rrugore se drejtuesi mjetit tip "Toyota Corolla", Halil Koka, po udhëtonte me shpejtësi 130 kilometra në orë, kur limiti i lejuar ishte 90 km.

Halil Koka drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin me dy të vdekur pranë zonës së Malit të Robit në Kavajë, ishte duke udhëtuar me shpejtësi mbi 130 kilometra orë.

Përgjatë autostradës Plepa-Kavajë, limiti maksimal i lejuar i shpejtësisë është 90 kilometra në orë. Pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja tragjike për familjen Pisku, drejtuesi i automjetit tip "Toyota Corolla", Halil Koka ishte duke udhëtuar me mbi 40 kilometra në orë më shumë se limiti i lejuar prej në 90 kilometrash.

Sipas dëshmitarëve okularë, Edlira Pisku, mbrojti me trupin e saj nga aksidenti, djali e vet 8 vjeç. I mituri ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë dhe sipas mjekëve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Këtë të diel u përcollën për në banesën e fundit dy viktimat e familjes Pisku.

Ndërkohë, uniformat blu vunë në pranga drejtuesin e makinës, Halil Koka, i cili nuk ishte as i pajisur me leje drejtimi.

Koka tentoi të mashtronte Policinë, duke i kërkuar pasagjeres që udhëtonte me të, Ilda Parroj, të merrte fajin përsipër, sikur ajo ishte në drejtim të automjetit.

Fillimisht 30-vjeçarja ka pranuar, por pas shumë dëshmive në vendin e ngjarjes uniformat blu zbuluan se drejtuesi i makinës "Toyota" ishte Halil Koka. Ky i fundit ka pranuar se ka qenë ai shofer dhe ka thënë se makina i doli jashtë kontrollit për shkak të lagështirës në rrugë.

Më herët gjatë ditës së sotme, "DurrësLajm"publikoi dhe fotot e viktimave të Xhemal Piskut dhe nuses së djalit të tij Edlira Pisku. Ata humbën jetën pranë rrugës nacionale teksa prisnin autobusin e linjës së Beratit, ku Edlira do të shkonte të vizitonte gjyshen e saj që ishte në gjendje të rëndë. Një udhëtim që nuk nisi kurrë, por përfundoi tragjikisht…