“DurrësLajm” mëson detaje të reja nga plagosja me thikë e një efektivi policie, paraditen e sotme në lagjen nr.1.
Efektivët e policisë kanë tentuar të negociojnë me një person, për të cilin ishin njoftuar nga dëshmitarë në vendngjarje se ishte i dhunshëm.
Në momentin që efektivi, që ka mbetur i plagosur, i është afruar personit që dyshohet se vuan nga probleme mendore ai ka nxjerrë thikën nga çanta që mbante me vete dhe është larguar me vrap.
Policët e kanë ndjekur për disa metra me vrap dhe në momentin kur agresori është futur në një rrugicë qorre, në afërsi të një lavazhi në zonën e Brrylit, kanë tentuar ta neutralizojnë.
Ka qenë pikërisht në këto momente, kur agresori ka sulmuar me thikë efektivin duke i shkaktuar plagosje të shumta në duar, ndërsa ka tentuar ta plagosë edhe në trup, por fatmirësisht e ka mbrojtur jeleku i policisë.
Mësohet se efektivi i policisë është shoqëruar nga kolegët e vet në Spitalin Rajonal, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka arrestuar agresorin e policit. Deri më tani nuk dihet as identiteti i policit të plagosur, as ai i agresorit.
Pritet që Drejtoria Vendore e Policisë Durrës të dalë me një njoftim për shtyp për ngjarjen.