Teksa kemi parë shumë futbollistë të mëdhenj që janë tërhequr nga futbolli i fushës, ka edhe nga ata që sfidojnë moshën duke çuditur tifozët me pasionin e tyre për këtë lojë.

Janë disa lojtarë që jo vetëm kanë kaluar pritshmëritë, por kanë vendosur edhe një pikë referimi për jetëgjatësinë në një sport. Për të hyrë më thellësisht në temë, “FootballFanCast” përpiloi një listë me 10 lojtarët më të vjetër që janë aktivizuar në këtë sezon kudo në botë.

Mes tyre është edhe një lojtar nga kampionati shqiptar. Ilion Lika është portieri i Tiranës, aktualisht në moshën 43 vjeçare dhe vijon të mbrojë kuadratin bardheblu.

Këtë sezon, për shkak edhe të dëmtimeve të shumta të portierëve të Tiranës, Ilion Lika ka mbrojtur gjithsej 7 herë portën e kryqytetasve, 6 herë në kampionat dhe një herë në ndeshjet e Europës kur nisi sezoni.

Në moshën e Ilionit, është edhe Zhoel Pinto, portieri që luan në Peru, ndërsa Sezar Medina është një sulmues 43-vjeçar që aktivizohet me Alianza Panama.

Ndërkohë, janë tri lojtarë që vijojnë të luajnë në moshën 44-vjeçare: Rys Grifis që mban pozicionin e sulmuesit, Fereira Pinto në mesfushë dhe Nasis Çoudhuri si mbrojtës. Më tej Ahed Korhani është portieri 45-vjeçar që luan për Tripolin.

Dragan Joloviç, aktualisht 47 vjeç luan si mbrojtës me ekipin Alfa Modrica në kategorinë e dytë boshnjake. Në të njëjtën moshë është edhe Xhorxhi Petkov që mbron portën e Slavia Sofies në Bullgari.

Në vendin e parë dhe që ka thyer rekorde sa i përket moshës duke çuditur tifozët anembanë botës, është Kazujoshi Miura. Japonezi është 57 vjeç dhe luan për fanellën e Oliverenses në Kategorinë e Dytë portugeze, teksa roli i tij është sulmues. Këtë sezon ai është aktivizuar në pesë ndeshje.