Pas tre ngjarjeve tragjike, të regjistruara përgjatë këtij muaji në Durrës, dhuna ndaj femrave nuk ka të ndalur. Komunikata e policisë ka pasqyruar thuajse në çdo ditë të tetorit raste të reja të dhunës në familje dhe kërkesat për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes ndaj grave dhe vajzave. Pas prerjes së kokës së Aishes 18 vjeçare, vrasjes me çekiç të Lime Dedejt nga ish bashkëshorti i saj dhe plagosjes me sopatë të Flutura Zogut nga burri i saj, një tjetër rast tronditi opinionin, veçse kësaj here viktima qe me fat, pasi ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur parandalimin e krimit. Këtë herë pre e dhunës së bashkëshortit ra një parukiere, nënë e dy fëmijëve të vegjël.

Pas dhunës fizike të ushtruar, Sokol Halili tentoi t’i vinte flakën, pasi spërkati më parë me benzinë trupin e bashkëshortes dhe ambientet e parukerisë ku ajo punonte. Lajmërimi i policisë nga ana e një klienteje evitoi këtë herë një ngjarje tjetër të rëndë, që mund të shoqërohej nga viktima e rradhës.

“Menjëherë pas marrjes dijeni mbi veprimet e dhunshme në vend kanë shkuar shërbime policie, të cilat kanë ndërhyrë duke parandaluar pasojat e mëtejshme të kësaj ngjarjeje. Materialet proceduriale për veprën penale të ‘dhunës në familje’ i kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit të Durrësit”,- ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë, Ornela Çako.

31 vjeçari Sokol Halili, i lindur në Rrëshen dhe banues në Durrës është ndaluar dhe do të ndiqet penalisht për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes së tij. Ndërkohë tre raste të reja të dhunës në familje janë denoncuar gjatë të mërkurës së kaluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Dy gra nga Durrësi, përkatësisht 40 dhe 29 vjeç janë rrahur nga bashkëshortët e tyre, e për pasojë policia ka plotësuar kërkesë paditë për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes.

Por krahas bashkëshorteve të dhunuara, pre e dhunës ka rënë edhe një i moshuar i cili është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga djali i tij. 73 vjeçari duket se nuk e ka duruar më keqtrajtimin nga fëmija i tij dhe i është drejtuar drejtorisë së policisë për të bërë denoncimin përkatës.    

RETRO

Berisha: Burg për jetë për vrasësit e femrave

Nisur nga rritja në nivele të frikshme e krimit në familje, kryeministri Sali Berisha ka propozuar ndryshime në Kodin Penal për të dënuar me burgim të përjetshëm ata që vrasin gratë dhe vajzat. Kryeministri Berisha e bëri këtë propozim, pasi qeveria miratoi Konventën e Këshillit të Europës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. “Sot vrasja e bashkëshortes është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar. Kemi bërë dhe bëjmë përpjekje, por përpjekjet duhet të jenë shumë më të mëdha”, u shpreh kryeministri. Dhunën dhe vrasjet që vijnë si pasojë e dallimeve gjinore, kryeministri i cilësoi si më ekstremet e për këtë propozoi ndyshim në Kodin Penal dhe dënim të shkallës më të lartë, që është burgimi i përjetshëm. "Duke pasur parasysh dallimin e qartë në agresivitet mes dy gjinive, mendoj se mund të vendoset dënimi përjetë për të gjitha ata, të cilët e shtyjnë krimin gjer në një kufi të paimagjinueshëm. Le të na frymëzojë kjo konventë për të përcaktuar shkallën më të lartë të dënimit në Kodin Penal për të gjithë ata që ngrenë hanxharin e krimit kundër bashkëshortes e vajzave në tërësi, gjë e cila përbën formën më ekstreme të krimit”,- theksoi ai. Më parë Berisha kishte propozuar dënim me burgim përjetë për ata që vrasin policë dhe ata që vrasin për gjakmarrje.