Debati i parë dhe i fundit mes dy kandidatëve për zv/presidentë duket se nxorri fitues nr.2 të qeverisë amerikane, Joe Biden. Ndërsa demokratët vazhdonin të humbisnin terren që pas përballjes së parë Obama-Romney, pasioni i treguar nga Biden gjatë debatit me rivalin e tij Paul Ryan, sipas analistëve, mund të përbëjë një pikë kthese në fushatën e presidentit amerikan.

Krejt ndryshe nga Obama u paraqit Biden në këtë përballje duke i bindur analistët e politikës se ishte ai fituesi i këtij debati. Ndërsa sondazhet e para, menjëherë pas përballjes, flisnin për një avantazh të kandidatit republikan, sondazhet në vijim folën për dominimin e Biden. Grinta e zv/presidentit mund të shërbejë për të rigjallëruar energjitë në kampin demokrat, kur na ndajnë gati 3 javë nga sfida presidenciale.

Debati mes nr. 2 u përqendrua në çështje të sigurisë kombëtare, politikat ekonomike, taksat dhe shëndetësinë. Biden mbrojti me vigorozitet trajtimin e administratës së Obamës gjatë sulmit në konsullatën e Bengazit, si dhe karakterizimin e pasaktë të incidentit që shkaktoi reagim ndaj një video anti-Islame të bërë në SHBA. Biden nuk ngurroi për të sulmuar zotin Romney, duke thënë se vendimi i Republikanëve për të mbajtur një konferencë politike për shtyp në mëngjesin pas sulmit nuk ishte një sjellje presidenciale.

Por duket se nuk ka pritur shumë për të replikuar kandidati republikan për president. Gjatë një takimi me elektoratin, Romney akuzoi Joe Biden se ka bërë deklarata të gabuara në lidhje me sulmin e muajit të kaluar ndaj konsullatës amerikane në Libi. Në debatin e së enjtes me zëvendësin e Romney, Paul Ryan, zoti Biden tha se, “nuk ishin të informuar për kërkesat për rritje të masave të sigurisë në vend. 

Nga ana e tij kandidati republikan  tha se deklarata në fjalë bie ndesh në mënyrë të drejtpërdrejtë me deklaratat e bëra nga zyrtarët e Departamentit të Shtetit. 

Nga ana tjetër sondazhet në terren flasin për një situatë gati-gati të barabartë mes Obamës dhe Romney në shtetet kyçe për betejën finale. Ndërsa presidenti aktual kryeson me një diferencë të ngushtë në shtete si: Iowa, Nevada, Ohio dhe Virxhinia, rivali republikan nga ana e tij ka siguruar tani për tani kryesimin në Karolinën e veriut, Kolorado, Florida dhe Missouri.

Debati i ardhshëm mes kandidatëve pritet të zhvillohet këtë të martë në Florida. Ndërsa në përballjen e parë Obama doli i humbur pritet që në duelin e dytë presidenti aktual të mos qëndrojë më në pozita mbrojtëse kundrejt Romney. Në të kundërt kjo mund të thellojë edhe më shumë diferencën e debatit të parë.