NGA OLTI RRUMBULLAKU*

Ligji aktual i tatimit mbi të ardhurat është i vitit 1998, i arnuar në çdo cep disa herë, sa është kthyer në një paçavure që nuk ka simotër në asnjë shtet në Evropë, Azi, e në mos Afrikë. Ligji ka pafund non-sense tatimore. Në vitin 2013 ish- zëvendësministri rishtar i Financave shprehu me të madhe që ligjin e këtij tatimi do ta bënte me ndihmën e “Big Four”. Ishte njësoj sikur Kodin Penal ta bëjë shoqata e avokatëve. Kuptohet një budallallëk me okë dhe sipas meje i shtyrë nga mjeshtrit e koncesioneve që e dinin se një gjë e tillë nuk do të funksiononte dhe kështu merrnin kohë dhe përdornin ende paçavuren e '98 që iu shtuan ca gafa monumentale në 2014.

Si përfundim dikush nga “Big Four” solli një draft të dobët të kopjuar nga ligji i Kosovës duke shtuar disa hapësira për shmangie të tjera, por që doli një projektligj aq i dobët sa vetë ministria e pa të panevojshme ta diskutonte me FMN-në. Gjatë 2014 FMN-ja filloi të kërkonte një ligj të ri dhe ofroi falas angazhimin e dy ekspertëve të njohur ndërkombëtarë në këtë fushë. Ekspertët erdhën, shqyrtuan ligjet aktuale, ndërtuan nga e para një ligj të ri, i cili është i standardit më të mirë, sipas praktikës më të mirë dhe përputhjes me ligjet e tjera. Mirëpo… Ka gjithmonë një mirëpo. Drejtuesit e lartë të pjesës fiskale në ministri, të kapur prej shumë vitesh nga grupet lobuese nuk kanë asnjë interes që ky ligj të vijë në fuqi.

Të gjithë grupet e interesit kanë aktualisht një hapësirë të konsiderueshme për shmangie ligjore që ligji i ri do t’ua reduktojë. Këtyre organizmave tip KEK, Dhoma Tregtie, etj, po ashtu nuk u intereson një ligj i tillë. Në fund, ligji u ndërtua nga ekspertë të angazhuar nga FMN-js, por në fakt nuk duhet ngatërruar me sugjerimet e politikës fiskale të FMN-së, të cilët kanë një qëllim tjetër. Në fund, besoj, se vetë drejtues në Ministri, për shkak se nuk duan që një ligj i tillë të hyjë në fuqi, orkestruan këtë mjegullnajën e normave, në mënyrë që ministri e zëvendësministrja të mbuluar nga servilizmat, paniku, moskompetenca në tatime dhe informacionet e rreme, të kenë frikë të merren me një ligj të tillë kaq modern. Parashikimi im: Ligji do shtyhet nga frika dhe do të miratohet në 2018!

* Pedagog i Fakultetit Ekonomik, në Universitetin e Tiranës. Është nga Durrësi.

Marrë nga “Shekulli” 11 gusht 2015