2 gusht 2015 – Për Teutën kanë përfunduar ditët në Bullgari, ku skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Magani zhvilloi për 19 ditë fazën përgatitore. Pas kthimit në Shqipëri ditën e premte, “djemtë e detit” do të rinisin të hënën përgatitjet në qytetin e Durrësit.

Fundjava është lënë pushim nga ana e stafit teknik, në mënyrë që futbollistët të kenë mundësinë për të shijuar dy ditë pushim dhe të rifitojnë energjitë pas tri javësh intensive përgatitjesh.

Teuta ka zhvilluar gjatë periudhe një merkato të fuqishme, duke afruar disa elementë cilësorë, ndërsa synimi i klubit është arritja e Europës në sezonin e ri. Një objektiv të tillë e konfirmon edhe mesfushori Bruno Dita. Për 22-vjeçarin, sezoni që do të nisë së shpejti do të jetë i dyti në radhët e Teutës dhe ai shprehet i bindur se ky do të jetë një vit krejt i ndryshëm për “djemtë e detit”, krahasuar me edicionin e kaluar futbollistik.

“Kam bindjen se ky do të jetë një sezon i suksesshëm për ne. Jemi përforcuar së tepërmi dhe klubi ka bërë investimet e duhura në merkato. Konkurrenca është rritur dhe të gjithë ne lojtarët jemi të ndërgjegjshëm se duhet të japim maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe në fushën e lojës. Kjo gjë u vu re edhe në fazën përgatitore që zhvilluam në Bullgari. Ishte një periudhë e cila do të na ndihmojë së tepërmi gjatë kampionatit. Sezoni i ardhshëm do të jetë i ndryshëm nga ai që kaloi për Teutën. Objektivat tona janë krejt të kundërta me atë të një viti më parë. Duam të arrijmë Europën dhe besoj se kjo skuadër e ka forcën e duhur për ta bërë një gjë të tillë. Mendoj se do të surprizojmë këtë vit në Superligë. Përveç sezonit të kaluar, ky synim ishte mbijetesa, Teuta ka qenë gjithnjë pretendente për trofe. Kam bindjen se këtë sezon mund të arrijmë të fitojmë Kupën e Shqipërisë dhe pse jo të renditemi në katër më të mirat e kampionatit”, mbyll deklaratën e tij, mesfushori i talentuar i Teutës, Bruno Dita.

Teuta është ekipi i tretë që Bruno Dita aktivizohet gjatë karrierës së tij futbollistike. Ai iu bashkua “djemve të detit” nga Besa, ndërsa ka dalë nga akademia e Dinamos, skuadër me të cilën luajti në Superligë, duke debutuar në moshën 18-vjeçare.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/