Hollësi të reja rreth ditëve të fundit të Hitlerit
Në bunker, Hitleri e kishte përpiluar testamentin e tij
“Ai shikonte sesi qeni e gëlltiste cianidin. Hitleri nuk shfaqte emocione. E tëra që donte, ishte ta kuptonte efikasitetin e helmit”. Intervista të mrekullueshme me të besuarit më të ngushtë e Adolf Hitlerit, që flet për ditët e tij finale, thashethemet e dashurisë, sesi ai helmoi qenin e tij dhe rreth asaj se cilat ishin këngët e tij të preferuara, tani janë transmetuar në një TV gjerman për herë të parë. Dëshmitë e tyre të filmuara rreth jetës në oborrin e liderit nazist ishin bërë tri vjet pas luftës nga një njësit amerikan i filmit, i cili donte ta dinte sesi austriakët ia dolën që ta shkatërronin një vend të kulturuar dhe të sofistikuar. Këto incizime konsideroheshin të zhdukura, derisa vitin e kaluar u gjetën fragmentet e para në një arkiv të Nyrnbergut, e më pas edhe fragmentet e tjera.
Letra të dashurisë deri në momentet e fundit
Ndihmësit, sekretarët dhe miqtë e Hitlerit sikur i drejtoheshin popullit gjerman nga varri, me rastin e transmetimit të incizimeve javën e kaluar, në një program të quajtur “Dëshmitarët e rënies”. Këta bashkëpunëtorë të Hitlerit ishin marrë në pyetje në vitin 1948 nga gjykatësi amerikan Majkëll Musmano, i cili ndihmoi në përndjekjen e disa nazistëve, kriminelë të luftës, me të mbaruar të Luftës së dytë botërore. Atij i ishte dhënë qasje në qarkun e ngushtë të Hitlerit, për shkak se oficerët e marinës amerikane besonin në thashethemet që Hitleri, pas luftës, kishte ikur në Argjentinë. Ndihmësi i forcave ajrore të Hitlerit, Bernd Freytag von Loringhoven, flet para kamerave rreth helmimit të qenit të dashur alzasian të Hitlerit, 'Blondi'. “Hitleri nuk shfaqte asnjë emocion derisa shikonte qenin e tij duke ngordhur nga helmi. E tëra që ai donte, ishte të kuptonte se sa efikas ishte helmi – e ai ishte shumë efikas. Më pas, gruaja e ministrit të propagandës, Magda Gebels, kishte përdorë këtë helm për të mbytur të gjithë fëmijët e saj, derisa ata ishin në gjumë”. Traudl Junge, e cila ishte sekretarja e preferuar e Hitlerit, tregon para kamerave sesi shefi i saj merrte letra të dashurisë nga ithtaret e tij, deri në momentin kur bëri vetëvrasje në një bunker të Berlinit, në prill të vitit 1945. “Kjo ishte puna me të cilën isha ngarkuar – që t’ia jepja atij letrat e femrave, të cilat nuk kishin asgjë më të mençur për të bërë, pos që t’i shkruanin atij. Po, ato ishin letra të dashurisë”, thotë ajo.
'Blood Red Roses', kënga e preferuar e Hitlerit dhe Evës
Arthur Kanberg, shërbëtori i Hitlerit, tregon sesi kënga e quajtur 'Blood Red Roses' ishte e preferuara e Hitlerit dhe Evës, prandaj ata e dëgjonin atë shumë shpesh. “Por, unë e mbaj mend Hitlerin si një figurë atërore, që gjithmonë përkujdesej për mua. Kurrë nuk e kisha parë atë si burrështetas, meqë nuk kam marrë pjesë në asnjë konferencë të tij. Ne mblidheshim vetëm kur ai na thërriste për të na dhënë urdhra. Edhe në raste të tilla, si herëve tjera, ai ishte shumë i kujdesshëm”. Kanberg tregon edhe se Hitlerit i pëlqenin thashethemet. Po ashtu, merret vesh se Hitleri ishte shumë i rregullt në pirjen e çajit të pasdites. August Vollenhaupt, berberi i Hitlerit, e përshkruan këtë të fundit si një njeri gjenial, fjalëbutë, i cili interesohej rreth gjendjes së familjes së tij (berberit) dhe i cili gjithherë donte të dinte se çka thoshin njerëzit në rrugë. Njëri nga funksionarët e bunkerit, i quajtur Lorenc, tregon se pasi që ishin martuar Hitleri me Evën, më 29 prill të vitit 1945, në bunker ishte organizuar një ndejë e vogël. Aty kishte edhe shampanjë, por Hitleri nuk kishte pirë fare. Ai ishte i interesuar rreth përpilimit të testamentit të tij.
Kufomat ishin djegur
Një kolonel i quajtur Holsten, i cili gjendej në bunker në momentin kur, më 30 prill 1945, Hitleri dhe Eva i kishin dhënë fund jetës së tyre, tregon se kishte parë kufomat e tyre duke u tërhequr zvarrë deri në kopsht, ku ishin lagur me benzinë dhe ishin djegur. Holsten thotë se, në atë moment, instinktivisht kishte ngritur dorën dhe kishte përshëndetur Hitlerin për herë të fundit. Erih Kempka, shoferi i Hitlerit që nga ditët e para të lëvizjes naziste, ishte ai që kishte siguruar karburantin për djegien e kufomave. Edhe ai thotë të ketë parë kufomat duke u bartur deri te kopshti. Bile edhe vet kishte ndihmuar në bartjen e tyre. Bashkë me të pranishmit e tjerë, ai i kishte dhënë përshëndetjen e fundit fyrerit të tij.
Me datë 30 prill 1945, Hitleri dhe Eva i kishin dhënë fund jetës së tyre





