Tani nuk ka më dyshime për të ardhmen e Giggio Donnarummës, e cila do të jetë në kryeqytetin e Francës, Paris. Ish portieri i Milanit dhe aktualisht titullari i katërkëndëshit të Italisë, ka arritur një akord total me klubin e PSG-së, për të nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me pagë prej 12 milionë eurosh neto në sezon.

Gjatë ditës së sotme mjekët e klubit francez pritet të mbërrijnë në Coverciano, vendin ku është grumbulluar kombëtarja italiane dhe me lejen e Roberto Mancinit, do të asistojnë në testet zyrtare mjekësore të portierit, një ritual ky i zakonshëm para se të hidhet firma mbi kontratë.

Pas këtij momenti, portieri mund të përqendrohet totalisht te eksperienca në Kampionatin Europian me Italinë, duke qenë se ka zgjidhur gjithçka për të ardhmen, një rebus i cili kishte nisur prej muajsh.

Portieri 23-vjeçar kishte refuzuar të rinovojë kontratën me Milanin, pasi nuk ishte i kënaqur me 8 milionë eurot në sezon që i ofruan drejtuesit e klubit kuqezi dhe tani ishte një futbollist i lirë, duke qenë se i kishte përfunduar kontrata me milanezët.

Juventusi, Barcelona dhe PSG-ja shfaqën interes për shërbimet e gardiani të talentuar italian, por në fund garën e fituan francezët, që kënaqën pretendimet e Donnarummës, por edhe të menaxherit të tij Mino Raiola.