Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në kuadër të turit falenderues, në Tiranë, ka folur për vendosjen e zyrtarëve të korruptuar para drejtësisë dhe tha se kjo ka qenë zgjedhja e qeverisjes së tij, që kush shkel ligjin të marrë përgjegjësinë.

“Mungesa e sensit të detyrës, patriotizmit, etikës, në pikën që një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është e tmerrshme.

Këtu ne e kemi hapur vetë këtë Kuti Pandore, sepse nuk kemi pranuar që të marrim përsipër përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi duke mbajtur këmbën te kapaku i kësaj kutie për të vazhduar avazin e nuk e di sa shekujve ku të pushtetshmit kurrë asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia.

Këtë e kemi bërë ne. Dhe unë 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të bëja të njëjtën gjë. Në fund të fundit, kjo është arsyeja pse njeriu merr përsipër të bëjë këtë punë që unë bëj apo shumë njerëz këtu bëjnë”, tha Rama.

Më tej ai shtoi se qeveria e tij ka zgjedhur atë rrugë dhe se nuk bën kompromis me asnjë. Më pas, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, kometoi dhe lirimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Ne kemi zgjedhur rrugën që nuk ka kthim mbrapa dhe nuk ka kompromis me askënd dhe natyrisht unë e kam ditur që kjjo nuk është një rrugë që mbaron shpejt, jo e dy apo tre mandateve, por rrugë që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë.

Dhe sigurisht që është një rrugë me shumë vështirësi, situata të shëmtuara, të hidhura, njerëz që kanë marrë gjithcka.

Ne duhet që paralelisht të jemi të angazhuar të bëjmë cmos që ata njerëz që marrin një detyrë, ta dini ca po marrin, apo ata që e kanë një detyrë të mos kërkojnë të marrin mbi detyrën”, tha Rama.