Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj sot në 7 qershor, ka bërë një deklaratë publike në lidhje me mënyrën sesi po trajtohet kërkesa e tij për të ndjekur gjyqin nga afër, pranë avokatit të tij, dhe jo pas “kafazit të qelqtë”.

Beqaj nënvizon se për të njëjtën kërkesë janë dhënë tre vendime të ndryshme nga tre gjykata të ndryshme, duke e konsideruar këtë situatë si të paqartë.

Ai shpjegon se një trupë gjyqësore ka urdhëruar që të sjellë në sallë nga gjyqi i shoqërimit, një tjetër i ka kërkuar Drejtorisë së Burgjeve të bëjë një vlerësim mbi rrezikshmërinë e tij, ndërsa një trupë tjetër në Apel ka refuzuar kërkesën.

Beqaj thekson se, megjithëse pavarësia e sistemit gjyqësor është një parim themelor, këto vendime të ndryshme për të njëjtën çështje krijojnë konfuzion dhe mungesë qartësie. Ai përmend gjithashtu një letër të Komitetit Shqiptar të Helsinkit drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që trajton rastet e ngjashme të kërkesave të të dënuarve në procese penale.

Beqaj shprehet se në seancën e ardhshme i mbetet vetëm të insistojë që avokati i tij të jetë i pranishëm brenda sallës së gjyqit gjatë zhvillimit të procesit, duke e konsideruar situatën aktuale si të pazakontë dhe të paqartë në praktikën gjyqësore.

Reagimi i avokatit të Beqajt, Ermal Yzeiraj

Në cilësinë e avokatit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
Dilema që u bë trilemë

Të dielën e kaluar komunikova me ju lidhur me një qëndrim kontradiktor të dy trupave të ndryshme të GJKKO-së për kërkesën time që procesin penal ndaj meje ta ndjek në sallë, pranë avokatit tim, dhe jo në kafazin e qelqtë.

Por të premten, më 5 qershor 2026, e njëjta kërkesë, e paraqitur para një trupe të GJKKO-së së Apelit, mori një përgjigje refuzuese, madje të ndryshme edhe nga dy vendimmarrjet e mëparshme.

Kështu, më 5 qershor, dilema se si do t’i ndjek proceset penale ndaj meje u bë trilemë.

Për mua, si i njëjti person, për të njëjtën kërkesë, janë marrë tre vendime të ndryshme:
* një trupë gjykuese, e përbërë nga tre gjyqtarë, ka urdhëruar togën e shoqërimit të më sjellë në sallë;
* një trupë tjetër gjykuese, me një gjyqtar, i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të vlerësojë rrezikshmërinë në rastin konkret;
* një trupë e tretë, me një gjyqtar në apel, e ka rrëzuar kërkesën.

Tre vendime të ndryshme nga tre trupa të ndryshme gjykuese nuk janë, në vetvete, diçka befasuese. Secila trupë gjykuese është e pavarur në vendimmarrjen e saj. Kjo është një arritje e drejtësisë së pavarur.
Vetëm se, në këtë rast, nuk kemi thjesht drejtësi të pavarur. Kemi drejtësi të çoroditur.

Ndërkohë, më 4 qershor 2026, Komiteti Shqiptar i Helsinkit u është drejtuar me shkresë, lidhur me kërkesën time për të qëndruar në sallë, si edhe për kërkesa të ngjashme të zotërinjve Ilir Meta dhe Erion Veliaj:
* zotit Erjon Bani, kryetar i GJKKO-së;
* zotit Ilir Rusi, kryetar i KLGJ-së;
* zotit Toni Gogu, ministër i Drejtësisë.
Përmbajtja e kësaj letre është bashkëngjitur.

Përballë trilemës së krijuar nga drejtësia e pavarur, në seancën më të parë të ardhshme, mbetet vetëm që avokati im t’i kërkoj gjykatës që gjatë seancës edhe ai të qëndrojë me mua brenda kafazit të qelqtë