Policia ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje në Mirditë.

Gjatë aksionit është sekuestruar një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, si është arrestuar një 52-vjeçar, si autori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike dhe poseduesi i armës.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të kanabisit, kanë vijuar kontrollet në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga pronarët, ish-reparte ushtarake dhe në ato banesa për të cilat disponohet informacion policor se mund të ketë tendencë për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë kontrolleve, në fshatin e quajtur Shëngjergj, Njësia Administrative Kaçinar, Mirditë, është konstatuar duke kultivuar bimë narkotike shtetasi T. H., 52 vjeç, banues në Shëngjergj, Mirditë, i cili është vënë në pranga nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Armëmbajtja pa leje”.