Kryetarja e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa gjatë mbledhjes së sotme ka folur në lidhje me helmimin e fëmijëve në Gramsh si dhe procesin e maturës shtetërore.

Zhupa gjatë fjalës së saj kërkoi mbajtjen e një dëgjese publike për të sqaruar të dyja çështjet. Ajo theksoi se për çështjen e Gramshit duhet të shkojë në Komision Ministria e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Sipas saj ministria e Arsimit ka përgjegjësi lidhur ngjarjen.

“Ministria e Arsimit ka përgjegjësi për ngjarjen e Gramshit. Edhe për çështjen e Gramshit dhe për maturën shtetërore unë mendoj se duhet të caktojmë një dëgjesë që të japë shpjegimet e duhura për të dyja çështjet. Ministrja duhet të vijë në Komision. Duhet të kërkojmë përgjegjësi siç na takon, sepse jemi këtu për të garantuar më të mirën, sidomos në interes të fëmijëve, dhe jo për t’i bërë fresk pushtetit që rritet në mënyrë jo proporcionale dhe jo logjike,” tha Zhupa.

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi u shpreh se ndan shqetësimin mbi rastin e Gramshit, duke e konsideruar një çështje me ndjeshmëri të lartë publike.

“Shumë shkurt, unë desha të bashkohem me ju për shqetësimin në ngjarjen e Gramshit. Padyshim që është një ngjarje e rëndë që të gjithëve na shqetëson, sepse shëndeti i fëmijëve tanë është parësor. Mendoj se duhet të marrim informacion të plotë mbi ngjarjen. Ende nuk dihet nëse janë bërë publike plotësisht arsyet dhe shkaktarët,” tha Kushi.