Altin Dumani u shpreh këtë të mërkurë se Prokuroria e Posaçme ka treguar se është në gjendje që të kryejë në pavarësi të plotë dhe në respektim të Kushtetutës hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Kjo sipas tij tregon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet.

“SPAK ka treguar se është në gjendje në respektim të ligjit dhe Kushtetutës të kryejë në pavarësi të plotë hetime të guximshme kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë, çka dëshmon se epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Hetimet tona kanë goditur edhe grupe kriminale të përfshira në trafiqe ndërkombëtare të drogës, pastrim parash, trafikun e qenieve njerëzore”, tha Dumani.

Dumani u shpreh se goditja ndaj fuqisë ekonomike së krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë ka bërë progres. Sipas tij vetëm në vitin 2024 janë sekuestruar dhe konfiskuar asete me vlerë 59 milionë Euro.

“Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në total në vitin 2024 ka arritur në vlerën 59 milionë Euro. Përfshihen edhe kriptovalutat që po gjejnë gjithmonë e më shumë përdorim nga organizatat kriminale duke i përdorur masivisht si për veprime financiare për të blerë sasira të konsiderueshme kokaine, po ashtu edhe për pastrimin e parave”, tha Dumani.