Te lagja nr. 4 në Durrës, dy hajdutë i kanë vjedhur me dhunë dy celularë një të riu. Pas afro një jave, policia ka ndaluar njërin prej autorëve.

I arrestuari është Miklovan Hasani, 19 vjeç, banues në Durrës, për të cilin policia thotë se ndalimi i tij është bërë me iniciativë.

Vjedhja ka ndodhur më 13 shtator, ndërsa vetëm një ditë më parë, i dëmtuari, shtetasi A.I. 28 vjeç, nga Durrësi, ka bërë kallëzim në komisariat.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se një nga autorët e dyshuar është shtetasi Miklovan Hasani, ndërsa vijon puna për identifikimin e autorit tjetër.

Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se Hasani është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës.