*Për vitin 2014, në Durrës janë shënuar 741 raste të dhunës në familje

*Të gjithë autorët ndiqen në gjendje të lirë

4 dhjetor 2015 – 577 gra kanë përfituar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, 167 janë konsideruar si vepër penale, si pasojë e dhunës në familje. Këto shifra vijnë nga policia e Durrësit, ku burrat kanë bërë “luanin” ndaj grave në 269 raste. Vetëm 22 burra kanë bërë denoncim ndaj grave të tyre, si të dhunuar, shifër kjo e papërfillshme me dhunën që ushtrohet ndaj seksit të butë. Pjesa tjetër është dhunë ndaj motrës, prindit, fëmijës, dhe në lidhje të tjera familjare.

Në kuadër të ditëve kundër Dhunës në Familje me bazë gjinore, fushatës iu bashkua edhe stafi i gjykatës në Durrës. Gjykatëse, avokate, dhe pjesa e administratës së bashku me rrjetin për zhvillim Komunitar “Sot për të Ardhmen”, dhanë mesazhin se “djemtë dhe burrat duhet të bëhen pjesë e zgjidhjes së këtij problemi. Kryetarja e Gjykatës së Durrësit Joana Qeleshi, deklaroi se “Dhuna në familje përbën një problematikë sa ligjore aq edhe shoqërore, dhe të gjithë institucionet së bashku me shoqërinë, duhet të jemi të angazhuar për parandalimin e saj në familje, dhe zhdukjen e saj.”

Edhe Fabiola Egro deklaroi se gjykata iu bashkua si anëtare e rrjetit kundër dhunës, për më shumë drejtësi në mekanizimin e referimit kundër dhunës. 

/K.H. portali DurresLajm/