13 shtator 2015 –  Në zbatim të programit të bashkëpunimit për vitin 2015 midis Forcave të Armatosura dhe Forcës Detare (FD) shqiptare me Flotën Detare të Republikës së Turqisë, nga data 13 deri më 15 shtator 2015, anija e Rojës Bregdetare turke “TCSG YASAM, 704” po zhvillon një vizitë portuale në Durrës. Qëllimi i kësaj vizite është trajnimi dhe bashkëveprimi midis FD-së së Shqipërisë dhe anijeve të Rojës Bregdetare turke për operacionet e kërkim-shpëtimit në det.  
 
Fillimisht, mëngjesin e së dielës, 13 shtator 2015, anija “TCSG YASAM’ u prit në ujërat territoriale nga anija e Rojës Bregdetare të FD-së “Archangel-04” me kapiten Preng Gjergjin. Zhytësit shqiptarë të Qendrës së Zhytjeve Pashaliman, kapter Hair Velaj, nëntetar Armando Bani dhe zhytësi i vogël Flavio Velaj, herët në mëngjes, kishin kontrolluar ujërat brenda kalatës nr. 4, ku do të bregëzohej anija turke. Më pas kuadro të grupit II patrullues me vendbazim në Kepin e Palit dhe kuadro të shtabit të FD-së i uruan mirëseardhjen anijes “TSCG Yasam”. Kjo e fundit do të qëndrojë në portin e Durrësit deri më 15 shtator 2015. Paraditen e së hënës, më 14 shtator kuadrot drejtues të anijes turke do zhvillojnë vizita në komandën e Forcës Detare në Plepa, Bashkinë e Durrësit, institucionin e Prefektit dhe Këshillin e Qarkut Durrës. Në program, më 15 shtator, përfshihen dhe vizita të personaliteteve të larta ushtarake dhe vendore si dhe vizita të qytetarëve në bordin e anijes. Gjithashtu personeli i anijes do të zhvillojë vizita në institucionet kulturore të qytetit, si muze arkeologjik, amfiteatër dhe muze etnografik. Krahas veprimtarive me autoritetet dhe komunitetin civil, ekuipazhi i anijes turke do të zhvillojë stërvitje të përbashkët me efektivat e anijeve të grupit II patrullues të Flotiljes Detare, kryesisht ato me tematikë “PASSEX”: sinjalistikë detare, sinjale komunikimi, patrullim i përbashkët, procedura dhe operacion bordimi, bllokim i elementëve terroristë në det, etj. Pasditen e 15 shtatorit 2015 anija turke “TSCG YASAM” 704, do largohet nga porti i Durrësit.
 
Info / Anija “TSCG YASAM”.704.
Përmasat: 88x12x12 m.
Tonazhi: 1775 t.
Shpejtësia-22 nyja.
Është ndërtim i vitit 2012, në përdorim të Rojes Bregdetare Turke.

/Shefqet Kërcelli, portali "DurresLajm"/