Brenda një viti nga hapja e zyrës së ndërmjetësimit Durrës, numri i ndërmjetësuesve është dyfishuar. Fakti konfirmohet nga drejtuesja e Zyrës Vendore të Ndërmjetësve Durrës, Merita Dakovelli.
“Në shtator 2022, numri i tyre ishte 6, ndërsa aktualisht janë 12 ndërmjetësues që ushtrojnë aktivitetin e tyre në qytetin bregdetar”,- thotë për “DurrësLajm” Dakovelli.
Megjithëse funksionon prej një viti, procesi i ndërmjetësimit në Durrës, ende nuk është i njohur nga qytetarët. Ka qenë gjykata e Durrësit, si gjykatë pilot, e cila ka orientuar gjithnjë e më shumë palët në proces për t’iu drejtuar ndërmjetësuesve për zgjidhjen e konflikteve.
Koha më e shkurtër për dhënien përfundimtare të verdiktit është në favor të palëve në proces.
“Nëse në gjykatë, me dorëzimin e padisë dhe deri në caktimin e seancës gjyqësore (pa marrë përsipër mbingarkesën që ka secili prej gjyqtarëve), një padi shkon deri në 3 muaj për caktimin e seancës, ndërkohë që një marrëveshje ndërmjetësimi afatin e ka 30 ditë. Është titull ekzekutiv, del urdhri ekzekutiv në gjykatë dhe çdo institucion është i detyruar që ta ekzekutojë”,– thotë Dekavelli.
Ndërmjetësimi është një proces jashtëgjyqësor, ku një palë e tretë neutrale ndihmon palët në konflikt në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për mosmarrëveshjet e tyre, brenda kuadrit ligjor. Çështjet për të cilat palët u drejtohen më shumë ndërmjetësve janë të tilla si:
“Përgjithësisht janë çështjet civile që kanë të bëjnë me pjesëtimin e pasurive bashkëshortore, por jo vetëm. Edhe çështjet që kanë të bëjnë me cënimin e pronësisë”.
Dhoma vendore e ndërmjetësve u hap në Durrës më 20 shtator të vitit të kaluar. Zgjidhja e konflikteve civile përmes ndërmjetësve shmang proceset e tejzgjatura gjyqësore dhe ankimimet në instanca më të larta të gjyqësorit.
M.B.