DURRËS, 4 qershor 2015 –  Sikurse është bërë e ditur, IPR Marketing dhe Ora News publikuan sondazhin e dytë për Durrësin. Sondazhi i kryer u bazua në censusin e vitit 2011. Marzhi i gabimit është ±3.2 për qind. Numri i të pyeturve në Durrës është 1 002 persona. Sondazhi është kryer nga data 28 maj deri më 1 qershor. 51 për qind me 49 për qind ishte rezultati i Bashkisë së Durrësit në sondazhin e parë të IPR Marketing më 13 maj 2015, duke premtuar kështu një garë të hapur dhe të fortë mes dy kandidatëve, Vangjush Dako i së majtës dhe Grida Duma e së djathtës. Kandidati socialist është rritur me 3 për qind duke shkuar në 54 për qind të mbështetësve durrsakë, ndërsa Grida Duma ka rënë me 3 për qind, duke marrë 46 për qind të votave. “Dyrrah”-u po paraqet 5 tabelat e sondazhit, të cilat vlejnë për analiza të thelluara për kandidatët, partitë, sociologët, politologët, shoqërinë civile etj.

BEFASIA

Disa komentues politikë në mediet vizive e kanë konsideruar befasuese rënien e Dumës dhe rritjen e Dakos. Nisur nga perfomanca mediatike, kandidatja e së djathtës është tejet më superiore se kundërshtari i saj. Duma ka vërtet një staf të kualifikuar në marrëdhëniet me publikun dhe menaxhimin e perceptimit, teksa vetë është sociologe-politologe, pra është një pi-ar (PR – public relations) tejet e aftë dhe “spindoktore” (kurues lajmesh) e vetvetes, me kredi vetjake në pothuajse të gjitha televizionet dhe gazetat. Madje, edhe në ato afër së majtës, që, ndoshta, i bëjnë “karshillëk” Gjushit për “gjobë”. E kundërta ndodh me Dakon, që ka përreth gazetarë terreni. Ndoshta, kemi ndonjë “perëndim” të pushtetit të katërt dhe falimentim të teknologjisë së “spindoktoring”-ut (propagandë partie) në kushtet e Shqipërisë, e cila është ushqyer për 50 vjet me llogjet e Enver Hoxhës. Mbase me intuitë, Dakoja e ka kuptuar se nuk duhen harxhuar para për të “blerë” mediet, teksa për shkak të investimeve dhe pranisë së Kryeministrit Edi Rama, veprat “flasin” më mirë se fjalët.

MEGJITHATË

Megjithatë pavarësisht thellimit të diferencës, ky nuk mund të jetë një rezultat dekurajues për Grida Dumën, e cila mund të rikuperojë në të njëjtën mënyrë këtë përqindje deri në 21 qershor 2015. Të pavendosur për këtë bashki janë 18.1 për qind e elektoratit. Gara në Durrës mbetet e fortë. Askush mendon se mund ta parashikojë rezultatin. Kështu mendojnë analistët. Nisur nga marzhi i gabimeve, pasaktësitë që shoqërojnë sondazhin, përfaqësuesja e opozitës Grida Duma, me gjakftohtësi dhe realizëm do të mund të analizojë avantazhet dhe dizavantazhet, duke mos marrë në konsideratë “bubullimat” anti-sondazh të SHQUP-it, të cilat mund t’ia rëndojnë situatën. Duma e kupton më mirë se kushdo se sa kushtojnë lajmet “e këqija”, por edhe kundër-lajmet vulgare (deklarimet nga selia qendrore). Fakti që ajo ka 10 për qind më shumë se PD-ja dhe 5,5 për qind se koalicioni flet më së miri për një mundësi rritjeje në dy javët e mbetura (i duhet të kërkojë angazhim më të madh Agron Dukës, pasi PR-ja ka rënie me gjysmë pike në raport me sondazhin e parë). Kjo përkundrejt rivalit, i cili, vërtet, ka 11,5 për qind më shumë se PS-ja, por 3,5 për qind më pak se koalicioni. Nga ana tjetër, edhe Dakos nuk i ka pëlqyer rezultati. Shpresonte për një diferencë më të thellë, nisur nga anketimet që bëjnë njerëzit e tij.

PARTITË

Ashtu si kandidati i majtë, edhe koalicioni i majtë ka një rritje të lehtë prej 1.5 për qind. Më 13 maj koalicioni i shumicës ishte në kuotën e 57 për qind, ndërsa më 3 qershor është në kuotën e 58.5 për qind. Kurse koalicioni i djathtë ka një rënie me 1 për qind. Nga 41.5 për qind ka shkuar në 40.5 për qind. Rritje kanë shënuar edhe partitë kryesore të shumicës, PS dhe LSI, 42.5 për qind dhe 10.5 për qind përkatësisht, kurse në sondazhin e parë këto parti kishin 41.5 për qind për PS dhe 9 për qind për LSI. Partia Demokratike nuk ka ndryshim nga sondazhi i parë, pasi ka të njëjtën përqindje mbështetësish prej 36 për qind. Lideri më i pëlqyer në Durrës është Edi Rama me 57 për qind të votave. E ndjekin Ilir Meta me 43.3 për qind dhe më pas Lulzim Basha me 32.5 për qind. Sali Berisha gjendet në kuota minimaliste të karrierës së tij me 28.2 për qind të besueshmërisë.

Një pyetje e sondazhit u kërkonte të anketuarve durrsakë perceptimi i tyre se kush do t’i fitojë zgjedhjet në nivel kombëtar në kuadër të koalicioneve. 54.6 për qind mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i majtë ASHE dhe vetëm 16.3 për qind mendojnë se do t’i fitojë koalicioni i djathtë.

 

 

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/