Ajo është Angelina Doga dhe ai është Manuel Durraj.

Angelina ka lindur në Bulqizë dhe prej vitesh jeton në Tiranë, ndërsa Manueli është nga Fieri dhe jeton në kryeqytet.

Jetojnë të dy në të njëjtën lagje dhe pikërisht aty nisi 4 vite më parë lidhja e tyre e dashurisë, e cila tashmë së shpejti do të konkretizohet në martesë.

Me propozimin e tij para mijëra syve të të pranishmëve në ceremoninë e diplomimit të 1500 studentëve të UAMD-së, Manueli tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

Student në vit të 5-të tek Universiteti Bujqësor i Tiranës, në degën Mjekësi Veterinare, Manueli vendosi pak kohë më parë të surprizonte të dashurën e tij me propozimin për martesë.

“E ku më mirë sesa në ceremoninë e diplomimit të saj, sepse kjo ishte një ditë e veçantë për Angelinën, por që u bë edhe më e veçantë. Ishin emocione të mëdha”,- rrëfen Manueli për “DurrësLajm”.

Angelina sigurisht që nuk e priste që zemra e formuar me dhjetëra tullumbace të kuqe të ishte pikërisht për të. Gjunjëzimi i Manuelit para saj dhe para syve të mijëra të pranishmëve ishte një emocion shumë i fortë për vajzën e re që po diplomohej në ciklin e studimeve Bachelor, pranë Fakultetit të Shkencave Politike Juridike .

“Mbeta pa fjalë, por një moment mu duk sikur më ndali fryma”,- i ka rrëfyer më pas Angelina të fejuarit të saj, kur i kaluan disi emocionet.

Propozimi për martesë tërhoqi jo pak vëmendjen e të gjithë të pranishmëve, që nxituan ta fiksonin atë moment me telefonat e tyre celularë.

Video që publikoi “DurrësLajm” u bë virale brenda pak minutash, ndërkohë që urime për trashëgime e jetë të lumtur çifti i ri ka marrë me shumicë nga të njohur e të panjohur.

M.B.