· Zëvendësdrejtori teknik i spitalit rajonal të Durrësit, reumatolog, dr i shkencave mjekësore, Gent Kavaja: Institucioni shtetëror i ka të gjitha kushtet, parametrat dhe furnizimet të zhvillojë aktivitet normal
DURRËS, 4 qershor 2014 – Merr fund “epoka” e 80-përqindshit në spitalin rajonal të Durrësit (?), kjo sipas drejtuesve të këtij institucioni mjekësor publik, të cilët garantojnë për normalitet në veprimtarinë e tij që nga 31 maj 2014.
Përkundrejt shqetësimit të pacientëve dhe njoftimeve në media për mungesa në barna dhe pezullim të operacioneve, zëvendësdrejtori teknik i spitalit rajonal të Durrësit, Gent Kavaja, deklaron se “prej ditës së shtunë (31 maj 2014), çdo gjë i është kthyer normalitetit, pra nga 80 për qind në 100 për qind të operacioneve, gjendja me perfuzione është plotësisht e kënaqshme; spitali i ka të gjitha kushtet, të gjithë parametrat dhe të gjitha furnizimet që të zhvillojë aktivitetin normal”.
Reumatologu Kavaja, që fitoi doktoraturën me disertacionin “Korrelacione biologjike-klinike në sëmundjet e indit lidhor”, thotë se “nuk është se kemi pezulluar operacionet e planifikuara, por kemi bërë një reduktim në masën 20 për qind”.
Nr. 2 i institucionit shtetëror mohon në mënyrë kategorike “që të jenë ndaluar ndërhyrjet urgjente, të cilat janë realizuar në masën 100 për qind; të gjithë ata që kanë ardhur në urgjencë dhe kanë kërkuar ndihmën e parë, kanë marrë mjekimin e duhur”.
Zëvendësdrejtori teknik dëshiron të sqarojë popullatën “se rastet urgjente që paraqiten dhe nuk e kanë të nevojshëm përdorimin e solucioneve fiziologjike apo perfuzioneve, nuk janë realizuar dhe kjo jo për arsyen se nuk ka, por nuk e kërkon sëmundja, për të cilën janë paraqitur, që të trajtohen me solucione fiziologjike”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





