DURRËS, 24 dhjetor 2014 – Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ishte më 23 dhjetor 2014 në Qendrën e Zhvillimit në Durrës, ku së bashku me drejtoren e përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror, Etlevë Bisha, shpërndau dhurata për fëmijët me aftësi të kufizuara me rastin e festave të fundvitit.
Ministri Erion Veliaj tha:
“Krahasuar me një vit më parë, kjo qendër ka ndryshuar si nata me ditën, ndërkohë që qëllimi i reformës së re sociale që po harton Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë është riaktivizimi fëmijëve në shoqëri.
Për herë të parë nga Fondi i Nxitjes së Punësimit ne punësuam disa dhjetëra persona me aftësi të kufizuara. Kjo është arsyeja pse vitin tjetër e kemi dyfishuar fondin, nga 2.7 milionë dollarë në 4.5 milionë dollarë, që të sigurohemi që më shumë kompani ndihmohen me financa nga shteti për të punësuar fëmijët tanë, ata që dalin nga qendra të tilla, të cilët janë me aftësi ndryshe, të veçanta. Nga ana tjetër, u bëj thirrje sipërmarrësve në Durrës që të hapin dyert e bizneseve të tyre për punësimin e sa më shumë personave me aftësi të veçanta. Jam shumë krenar që në një vit të vështirë financiar, Shërbimi Social Shtetëror arriti të disiplinonte skemën më të shpartalluar të financave publike në Shqipëri, atë të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Një njeri që është shëndoshë e mirë, i cili ka ngjitur dy posterë dhe nuk punon, por kërkon ndihmë ekonomike, nuk ka vend në skemë.
Falënderoj prindërit e fëmijëve të Qendrës së Zhvillimit në Durrës dhe i vlerësoj ata si heronjtë e vërtetë, për gjithçka bëjnë për ta”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





