Në familjen Dynisha, 8-anëtarëshe, viti i ri shkollor ka mbërritur me kërkesa të ndryshme nga ato të fëmijëve të tjerë.
Kujtimi, kryefamiljari dhe Fitorja bashkëshortja,janë të dy të papunë. Të mbërritur 9 vjet më parë nga zonat e thella të Tropojës, ata kanë ndërtuar një banesë sa për të strehuar fëmijët. Nuk kanë mundur dot të çojnë në shkollë të mesme dy fëmijët më të rritur, ndërsa edhe më të vegjlit që kanë shkuar në shkollë, nuk kanë mundur dot të blejnë librat dhe bazën materiale.
Nëna e fëmijëve, Fitorja, thotë se kushtet ekonomike nuk i lejojnë fëmijët të pajisen me libra e fletore si të gjithë fëmijët e tjerë.
Kujtimi thotë se ka kërkuar punë, por nuk ka gjetur. Mbyllja e sektorit të ndërtimit e ka lënë pa punë kryefamiljarin.
Paulina 9-vjeçare, ka dëshira të thjeshta, por që nuk mund t’ia realizojnë prindërit. Paulina kërkon që të ketë libra e fletore të reja, si dhe veshje për në shkollë. Ajo do të bëhet avokate kur të rritet.
Por ashtu si shumë familje në këtë zonë, edhe familja Dynisha pret me ankth stinën e dimrit. Për të shkuar në shkollë, duhet të kalojnë në disa ura druri të sajuara. Me nisjen e shirave familjet izolohen brenda.
Pak ditë më parë, fëmija 5-vjeçar i kësaj familjeje ra në kolektorin e ujërave të zeza. Fatmirësisht i shpëtoi mbytjes, por përfundoi me tre të qepura në kokë. Paulina dhe shumë fëmijë të zonës kanë vetëm një kërkesë: Ata duan një rrugë të re, që të mos izolohen dimrave kur ura përmbytet, ndërsa fëmijët mbeten pa shkollë e prindërit pa mundësi komunikimi.
Kjo është vetëm një prej historive të një prej dhjetëra apo qindra familjeve të varfra të zonës së ish-Kënetës në Durrës.
K.H.





