DURRËS, 30 nëntor 2013 – Galeria e arteve është tërheqëse për artistët pamorë për shkak se ndodhet në zonën administrative të qytetit bregdetar, prandaj dhe një piktor tiranas ka zgjedhur Durrësin për të sjellë një copë Shqipërie të kohës së kaluar. Gëzim Kabashi i ATSH-së (edhe fotot janë mirësjellje e tij) njofton se në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit të Durrësit, mbrëmjen e 27 nëntorit 2013, është hapur ekspozita e piktorit kryeqytetas Xhevdet Dada. Në 35 tablo të përmasave mesatare piktori 72-vjeçar ka sjellë peizazhe të Shqipërisë dhe Kosovës të disa dekadave më parë.“Pazari i vjetër i Tiranës”, “Xhamia e Sulejman Pashës” apo “Fshatarët në pazar” janë vetëm disa nga veprat që i shtohen kujtesës artistike për qytetet shqiptare në mesin e shekullit të kaluar. Ndër punimet e tij bien në sy peizazhet e rrugicave të hershme të Tiranës dhe portretet e vajzave me veshje karakteristike të zonës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





