Anëtarësia socialiste në Bashkinë e Durrësit ka shënuar një pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet për delegatë në Kongres. Për të zgjedhur 33 delegatët për në Kongres kanë votuar 2 636 anëtarë të Partisë Socialiste që gjenden në territorin e Bashkisë së Durrësit, nga 3 282 që janë gjithsej.
Burimet zyrtare pranë Partisë Socialiste në Durrës bëjnë të ditur se procesi i votimit ka kaluar pa asnjë problem. Tani ka filluar procesi i numërimit të votave dhe, nisur nga numri i madh i kandidatëve dhe nga fakti se procesi i votimit ishte relativisht i komplikuar, do të duhet pak kohë deri në daljen e rezultateve dhe njoftimin e emrave të delegatëve.
Nivelin më të lartë në pjesëmarrje e kishin socialistët e Sukthit, me 85 përqind, ndërkohë që ndiqeshin nga ata të Manzës me 73 përqind. E lartë ka qenë edhe pjesëmarrja e socialustëve nga qyteti i Durrësit, në nivelin 75,2 përqind, ndërkohë që në Kutund të Ri ishte 72 përqind, në Ishëm ishte 67,8 përqind dhe në Rrashbull ishte 62 përqind.
Socialistët e Bashkisë së Durrësit përfaqësohen në Kongres me 41 delegatë, por vetëm 33 prej tyre zgjidhen. Pjesa tjetër janë të zgjedhur automatikisht për shkak të detyrave partiake që mbajnë. 33 delegatët e zgjedhur do të dalin nga 66 kandidatë. Mes 33 delegatëve të zgjedhur, 17 do të jenë gra dhe 16 burra. Ndërkohë, nga të zgjedhur, 23 do të jenë nga qyteti i Durrësit, tre nga Sukthi, dy nga Manza, dy nga Ishmi, dy nga Rrashbulli, dhe një nga Katundi i Ri.