Nga sot, godina historike e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” nuk ekziston më. 

Këtë të enjte forcat e IKMT-së në bashkëpunim me IMT Durrës bënë të mundur shembjen e godinës arsimore të dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës. 

Lagjja nr.1 “u pushtua” nga një re e madhe pluhuri, ndërsa i gjithë procesi u monitorua nga blutë e Durrësit, IKMT, IMT Durrës dhe forcat zjarrfikëse.

Kujtojmë se shembja vjen 2 vite pasi kjo shkollë mbylli përgjithmonë dyert për nxënësit e saj.

Në mesin e muajit dhjetor të dy viteve më parë nxënësit u rikthyen në bankat e tyre në këtë gjimnaz për t’u larguar sërish kur pandemia e Covid-19 “mbërriti” në vendin tonë dhe diktoi mbylljen e shkollave. 

Që nga ai moment shkolla e mesme iu nënshtrua akt-ekspertizës së thelluar nga Instituti i Ndërtimit, nga e cila rezultoi se godina arsimore duhej shembur. 

Në ndryshim nga shkollat e tjera të mesme “Naim Frashëri” dhe “Olsi Lasko”, që patën gjithashtu të njejtin fat, kjo godinë u la për në fund pikërisht prej specifikës së saj dhe kujdesit të madh që kërkohej, pasi ndodhej fare pranë banesave private. 

Në total në bashkinë Durrës janë rindërtuar apo rikonstruktuar 14 godina arsimore të dëmtuara nga tërmeti. 16 të tjera janë në proces dhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.