DURRES, 22 prill 2013– Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka marrë pjesë në mbjelljen e pemëve, në lagjen numër 14 Shkozet. Në këtë ceremoni u bashkuan edhe nxënësit e Shkollës 9-vjeçare Hasan Koçi, të cilët bashkëpunuan në mbjelljen e pemëve përgjatë rrugës. Me anë të kësaj nisme bashkia synon të sensibilizojë publikun mbarë qytetar për një mjedis sa më të pastër. Në fjalën e tij të rastit kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deklaroi se brenda 3-mujave në qytetin e Durrësit janë mbjellë 860 pemë të llojit të ndryshëm , si palma, rrap e gështenjë e egër, me një vlerë investimi prej 38 milion lekë të reja.
Dako u shpreh duke thënë se mbjellja e pemëve në këtë rrugë të pagjelbëruar vjen jo vetëm në kuadrin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës, por edhe në vazhdën e projektit që bashkia e qytetit ka në vazhdimësi lidhur me mbjelljen e pemëve në të gjithë qytetin bregdetar.
Ai vijoi më tej duke thënë se një nga prioritetet e bashkisë është shtimi i sipërfaqeve të gjelbërta në Durrës në funksion të një mjedisi sa më të pastër për qytetarët e Durrësit, ku bashkia do të vazhdojë ta cilësojë vitin 2013, si viti i gjelbërimit të rrugëve dhe lulishteve të Durrësit. Cilësia e ajrit në qytetin e Durrësit ka qenë dhe mbetet një shqetësim kryesor për qytetarët, prandaj për bashkinë, shtimi i sipërfaqeve të gjelbëra dhe mbjellja e pemëve është parë si një mundësi e mirë për të përmirësuar cilësinë e ajrit, jo vetëm nëpërmjet rehabilitimit të sipërfaqeve urbane, por edhe nëpërmjet dendësimit të gjelbërimit që sjellin pemët e reja në qytet. Sipas Dakos përgjatë pesë viteve bashkia e qytetit të Durrësit në kuadër të nismës “Një jetë një pemë” ka mbjellë rreth 5 mijë pemë.
/e.a. Agjencia Lajmeve “Dyrrah”/





