Me 14 nëntor është çliruar qyteti i Durrësit, qytet i cili i ka dhënë Europës dëshmorët e parë të luftës kundër fashizmit më 7 prill 1939, si dhe partizanin dëshmor në moshën me të re të vendit, 15 vjeçarin Met Hasa. Durrësi është qyteti, i cili u sulmua më 7 prill të vitit 1939, pikërisht 144 ditë para fillimit zyrtar të Luftës së Dytë Botërore, që nisi me pushtimin ushtarak të Polonosë më 1 shtator të të njëjtit vit.

Me këtë datë, Shqipëria u bë objekt pushtimi nga shteti fashist i Musolinit. Drejt qiejve të Shqipërisë, sipas statistikave të ekspertëve ushtarakë të luftës së II-të botërore, u sulën mbi 600 avionë dhe 173 luftanije të cilat me zjarre e hekur u përpoqën te nënshtrojnë popullin tonë, por këtë qëllim se arritën asnjëherë. Qyteti i Durrësit me luftën e tij hyri në analet e historisë si vendi i parë në Europë që luftoi dhëmb per dhëmb me pushtuesit fashistë dhe që i dha edhe Europës dëshmorët e parë të kësaj lufte.

Beteja e 7 prillit

Më 7 Prill 1939 midis orës 04.30  e 05.00 nisi sulmi ushtarak për pushtimin e Shqipërisë. Nga kronikat e kohës mësojmë se rreth 50.000 trupa fashiste e përqendruan goditjen në 4 drejtime strategjike, por objekti kryesor ku u përqendruan më shumë trupa ishte qyteti i Durrësit, si një qytet strategjik nga ku mund të kalonin më me lehtësi trupat e tjera që do të zbarkonin më vonë, por edhe se kryeqyteti Tirana ishte pak km larg Durrësit.

Ushtarakë që kanë marrë pjesë në pushtim kanë theksuar në kujtimet e tyre se kolonat ushtarake të  tyre kishin si objektiv pushtimin e Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe të Korçës. Kjo për fazën e parë. Zbarkimi filloi në orën 5 e 25min dhe menjëherë forcat patriote shqiptare kundërgoditën me zjarr të pandërprerë pushkësh e mitrolozësh. Në Durrës u përdorën edhe të shtëna artilerie që ishte e vendosur në qytet. Trupat pushtuese ndeshën rezistencë të armatosur edhe në Sarandë, Vlorë, në Bestrovë dhe tek ura e Bahçallëkut në Shkodër, por rezistenca më aktive u zhvillua në Durrës.

Dispozitivi ushtarak fashist

Urdhri për pushtimin ushtarak të Shqipërisë i qe dorëzuar komandantit të trup ekspeditës fashiste italiane gjeneral Guxonit që më 31 mars 1939. Në dispozicion të tij për fazën e parë të pushtimit, ai kishte një divizion këmbësorie, katër regjimente bersalierësh, tri batalione të mekanizuara.

Këto trupa mbështeteshin edhe nga 5 batalione të tjera këmbësorie, të cilat së bashku me artilerinë dhe repartet e shërbimit, sipas historianëve ushtarakë italianë kishin organikë të barabartë me një divizion. Në mbështetje të sulmit qe skuadra ajrore A, e  përbërë nga tre divizione ajrore, të cilat i komandonte gjeneral Prikolo. Një divizion me 4 regjimente aero transportuese, një divizion me tre regjimente aeroplanësh bombardues, një regjiment bombarduesish tokësorë dhe një regjiment gjuajtësish të shoqëruar nga hidrovolantë e aeroplanë të tjerë plotësues.

Berlini dhe Beogradi, pro pushtimit

Sipas analeve të kohës, ambasadori gjerman në Romë, Makenzen i ka lënë të kuptojë Musolinit gjatë një bisede se Gjermania është e gatshme të njohë çdo veprim ushtarak të Italisë ndaj vendit fqinjë Shqipërisë. Sipas dokumentave të Ministrisë së Jashtme Italiane kjo bisedë është zhvilluar më 17 mars të vitit 1939.

Zbarkimi filloi në orën 5 e 25min dhe menjëherë forcat patriote shqiptare kundërgoditën me zjarr të pandërprerë pushkësh e mitrolozësh. Në Durrës u përdorën edhe të shtëna artilerie që ishte e vendosur në qytet. Trupat pushtuese ndeshën rezistencë të armatosur edhe në Sarandë, Vlorë, në Bestrovë dhe tek ura e Bahçallëkut në Shkodër, por rezistenca më aktive u zhvillua në Durrës

Po kështu etheve diplomatike të fashistëve për pushtimin e Shqipërisë u është përgjigjur pozitivisht edhe diplomacia e Beogradit. Më 5 prill ministri italian në Beograd ka zhvilluar një bisedë me ministrin e jashtëm të Jugosllavisë së atëhershme. Në bisedën e bërë pala Jugosllave ka deklaruar se Jugosllavia i kishte parasysh interesat italiane në Shqipëri. Për këtë përkrahje të hapur Duçja i ka dërguar falenderime të posaçme qeverisë jugosllave nëpërmjet të dërguarit të tij. Qeveria fashiste i ka premtuar me këtë rast se nuk do të dërgonte kontigjente te mëdha trupash në afërsi të kufirit Shqiptaro-Jugosllav.

Në takimin e dy ministrave të jashtëm jugosllav e italian të zhvilluar më 22 e 23 prill, qeveria jugosllave ka konfirmuar përfundimisht se e njihte pushtimin e Shqipërisë, ndërsa kolegu i tij fashist ka deklaruar se Italia nuk kishte interesa të veçanta ne Kosovë.

Dëshmorët e 7 prillit                        

Më 7 prill brigjet shqiptare u lanë me gjakun e bijve patriotë të Shqipërisë. Ndonëse jo të organizuar profesionalisht populli ynë tregoi se s’do të pajtohej kurrë me orekset fashiste që po tentonin të gllabëronin mbarë Europën. Më 7 prill ranë në fushën e nderit 9 luftëtarë të cilët shërbyen si shembull frymëzimi në betejat e mëvonshme përkrah koalicionit të Fuqive të Mëdha. Për sfidën e parë të rezistencës në Europë ndaj nazifashizmit që bënë këta bij shkruan edhe faqet e shtypit demokratik në Angli e kudo. Ato paralajmëruan popujt e botës për tragjedinë në afrim që i priste dhe treguan se si luftohet mënxyra fashiste.
                   

Kujtime – Kur zbarkuan fashistët në Durrës

Abdyl  Shazi, luftëtar i 7 prillit; marrë nga gazeta “Luftëtari”

 …Nga ora 22.00 u paraqita në gazermën e marinës, por Mujon nuk e gjeta aty, sepse kishte shkuar në familjen e vet. Kur u kthye, më pyeti pse kisha dalë nga spitali. Ia tregova të gjitha. Mujo na mblodhi të gjithëve dhe na tha se ditën e nesërme, ushtria italiane mund të zbarkonte në Shqipëri, prandaj detyra e të gjithëve ishte të luftonim deri në vdekje për të mbrojtur atdheun nga fashistët italianë. Na urdhëroi të merrnim armët e municionin. U bë pyetja: Me se do të luftonim, me që çdo njeri prej nesh kishte vetëm 60 fishekë, gjysma e të cilëve ishin të ndryshkur. Italianët i kishin sabotuar me kohë të gjitha armët, por reparti ynë kishte një mitroloz, që e kishte rregulluar Mujo.

Nuk kishim as ushqime, as ujë. Atë natë nuk fjeti njeri… Mujo na ngarkoi të gjithëve me detyra…

Rrëfimi i Abdullah Ali Urucit, luftëtar i 7 prillit

Me datë 5 prill ngrita flamurin për lindjen e Princ Lekës. Me datë 6 prill isha me Mujo Ulqinakun duke thënë se (për italianët) "Nëse vini si miq do të priteni me lule, por nëse vini si armiq do të priteni me luftë". Po me datë 6 prill, Mark Kodheli shkoi në port për të bërë marrëveshjen me italianët. Ai u fut në anijen "Fiume" në port, ku Rossi dhe Tafiletti ishin këshilltarët italianë. Po në këtë datë u hapën depot dhe armët i mori një oficer për t’ua shpërndarë ushtarëve dhe popullit.

Mujo ishte i vendosur për luftë dhe më 6 prill, në darkë më ka përcjellë, më pas u nda me gruan e tij duke i lënë amanet vajzën e vogël që e la në djep. Më 7 prill, ora 7:00, filloi sulmi me aeroplanë dhe artileri. Ne kishim urdhër të mos shtinim pa lajmëruar, ndërsa mbreti Zog ishte larguar. Mujo Ulqinaku mori fuqinë në dorë se ishte kapterë si dhe Abaz Kupi, të cilët u hodhën në mbrojtje.

Në orën 9 e 30 minuta u vra Mujoja, pranë portit dhe më pas dolën ushtarët që u rrethuan, u kapën dhe u dërguan në burg (Beqir Golemi; Ndue Gjeluci; Xhevdet Tirana).