Si sot 100 vjet më parë qytetarët durrsakë kanë ngritur flamurin në shenjë solidarizimi me Shpalljen e Pavarësisë së vendit tonë që do të konkretizohej më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Duke iu referuar Lef Nosit në veprën e tij “Qeveria e Përkohshme dhe veprimtaria e saj” me telegramin nr.13300, 13 Vjeshtë e Tretë 1328 te datës 26 nëndor po botojmë tekstin: “Popullit të ndershëm të qytetevet: Elbasan, Berat, Janinë, Delvinë, Gjirokastër, Lushnjë, Vlonë, Përmet. Ju apim lajmiin e gëzueshme, se me hirin e të Naltit Perëndisë, ndashti shpallëm indipendencën, n’mën të kombësis tonë të shënjtë e të gjithë Shqipnies. Nga memorandumet qi u shkruam, njani i u dha konsulit t’Austries tjetrit konsulit te Francës dhe i treti po ati t’Austries, si përfaqësues të Shtetit Italian”.
Gjithnjë duke i u referuar të njëjtit material të paraqitur nga Lef Nosi, firmëtarët durrsakë janë 22 vetë…emrat e tyre po i japim si me poshtë: Myderriz Isuf Ramzoti, Myderriz Abdyl Qerim Kurti, Myderriz Hysen Mulla Alushi, Myderriz Ali Kuli, Myderriz Hafiz Jusuf Gjoni, Ismail Beja,Mahmut Beja, Hysen Dakoli, Hasan Tartari, Ismail Usta Sula, Rexhep Abdurrahman Berberi, Hysen Peni, Filip Serreqi kryeplaku i Katolikëve, Aqif Celkupa, Bahtiar Dervishi, Aleks Duka, Kristaq Rama, Sotir Vevecka, Hamza Tahir Himi, Muhamet Qepaxhiu, Ymer Lytfi Mallkuqi, Musa Milaqi."