DURRËS, 14 nëntor 2014 – Drejtoria e kulturës kombëtare (DRKK) Durrës, gjatë dy javëve të fundit e ka shtrirë veprimtarinë jashtë qytetit bregdetar, që në Elbasan dhe Tiranë.
ELBASAN
Sipas informacioneve zyrtare nga drejtoria e kulturës kombëtare Durrës, më 14 nëntor 2014, u organizua një veprimtari njëditore me vizita në terren për njohjen e monumenteve natyrore e kulturore, elementeve të kulinarisë dhe artizanatit të zonës së Shpatit në Elbasan.
Po ashtu u përditësua informacioni për punën e bërë nga komuna e Gjinarit dhe institucionet e tjera në fushën e turizmit dhe promovimit të vlerave të kësaj njësie të qeverisjes vendore e mbarë qarkut të Elbasanit.
Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të pushtetit vendor e qendror, banorë, deputetë, punonjës të sektorit të Elbasanit për trashëgiminë kulturore jomateriale që është në varësi të DRKK Durres, etj.
Eventi u përqendrua në qendrën turistike “3 Bujtinat”, në Gjinar.
Po ashtu, në kuadër të kartelizimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, nga specialistët e sektorit të Elbasanit u inspektua monumenti i kategorisë së parë, sikurse është shkolla e mesme e përgjithshme “Konstandin Kristoforidhi” dhe varri pranë saj.
TIRANË
Më 7 nëntor 2014, në zyrën e Drejtorisë Rajonale Arsimore të Tiranës u zhvillua një takim midis drejtorit të DRKK Durrës Ledion Lako dhe drejtores së DAR-it Ariolë Byzyku për nënshkrimin e marrëveshjes në fushën e edukimit përmes trashëgimisë kulturore, ku ishin të pranishëm edhe mësuesit koordinatorë të shkollave, që bëjnë pjesë në rrjetin “Miku i Monumentit”.
Shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” është pjesë e projektit “Miku i Monumentit” dhe DRKK-ja i ka besuar një nga monumentet në qendër të Tiranës, “Varri i Kapllan Pashës”; nxënësit kujdesen, pastrojnë dhe promovojnë vlerat e tij.
Më 13 nëntor 2014, sektori i Tiranës i DRKK-së priti në sitin arkeologjik të mozaikut të Tiranës, një nga monumentet më të vizituara, nxënësit e shkollës 9-vjeçare anglo-shqiptare “Fenix” të Tiranës.
Më 6 nëntor 2014 u inspektua monumenti i kategorisë së parë, muri antik i Persqopit, ku, pasi u pa gjendja, filloi menjëherë pastrimi i vegjetacionit nga punonjësit e mirëmbajtjes.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





