26-vjeçari nga Durrësi Skënder Kraja, i dyshuar si njëri ndër autorët e dhunimit barbar të biznesmenit libanezo-amerikan, do të vazhdojë të qëndrojë në burg, por vetëm për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Gjykata e Tiranës dha sot masën e arrestit burg pasi gjatë kontrollit në banesën e Krajës, u gjet e u sekuestrua 35 gramë kanabis sativa.

Arrestimi i Krajës u bë 3 ditë më parë, më datë 14 shtator, pasi dyshohet se ai në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kanë rrahur biznesmenin Fadi Mitri. Por gjatë kontrollit në banesë u gjet dhe një sasi kanabisi.

Ndërsa nuk i është vërtetuar përfshirja e tij në ngjarjen e 10 shtatorit 2016 kur në aksin rrugorë, Kashar – Rinas pas një përplasje mjetesh, u dhunua biznesmeni libanez, Fadi Mitri.

Ngjarja

Ishte data 10 shtator kur biznesmeni amerikan, Fadi Mitri, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli në aksin rrugor, Kashar – Rinas, pas një përplasje mjetesh. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qenë tre persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit.

Ata janë larguar me një makinë tip “Tuareg” me targa të huaja, që ende nuk është gjetur nga Policia. Sipas dëshmisë që Fadi Mitri dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njëri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën. Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij.