Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vënë në pranga një punonjës policie dhe në hetim një tjetër, pasi janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasin A. K., në qytetin e Burrelit.

Dy punonjësit e policisë (vëllezër) kanë tentuar të vetësqarojnë situatën duke përfunduar në veprime të dhunshme dhe të rrezikshme për shëndetin e shtetasit.

“Dibër -Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka ndaluar me iniciativë punonjësin e policisë A. U., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Dibër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, si dhe referoi materialet proceduriale në gjendje të lirë për punonjësin e policisë S. U., me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë Komisariatit të policisë Mat, i dyshuar për veprat penale “Prishje e qetësisë publike” dhe “Vetëgjyqësia”.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga AMP, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuar në prova e fakte, se dy punonjësit e policisë (vëllezër), janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasin A. K., në qytetin e Burrelit, ku kanë tentuar të vetësqarojnë situatën duke përfunduar në veprime të dhunshme dhe të rrezikshme për shendetin e shtetasit”, njofton AMP.