Arrestohet në Angli Edmond Haxhia, i cili akuzohet se ka porositur vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Po ashtu janë arrestuar dhe dy shtetas britanikë.

Në kuadër të një operacioni të National Crime Agency u arrestuan Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.

Aksioni në fjalë u bë pas shkëmbimit të informacionit me policinë shqiptare.

 Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Nikulaj ishte në hasmëri me fisin Lekstakaj prej vitit 1997 për shkak të një pretendimi se nuk ishin paguar 10 mijë lekë të vjetra në një karburant.

Bëhet fjalë për vitin e largët 1997, kur fill pas këtij debati u ekzekutua Pëllumb Nikulaj, vëllai i Ardian Nikulaj dhe një pjesëtar i fisit tjetër. Shtatorin e po atij viti, u vranë Gëzim Lekstakaj, i njohur si Raci dhe Laurent Gjetja, i biri i poetit të njohur, të ndjerit Ndoc Gjetja. Lekstakajt asokohe akuzuan Nikulajt. Dy vite më vonë, pjesëtarët e familjes Lekstakaj, vihen sërish në shënjestër. Në mars të vitit 1999, vritet Gjovalin Lekstakajj. E siç duket saga e gjakmarrjes vijoi deri më 19 prill, ku u vra në lokalin e tij biznesmeni Ardian Nikulaj.