Dyshime të reja u kanë lindur hetuesve që po merren me çështjen e ngecjes së avionit të drogës në Ishëm të Durrësit.

Nga indiciet që disponon prokuroria, ka dyshime se persona të tjerë kanë qenë duke e pritur pilotin së bashku me “mallin” gati për ngarkesë, por ngecja e avionit ka dështuar planet e tyre.

Hetuesit dyshojnë se trafikantët së bashku me hashashin kanë mbërritur me skaf në grykëderdhjen e Ishmit, në afërsi të pistës së avionit. Ata janë larguar me lehtësi përsëri me skaf, pasi avioni ka ngecur dhe është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

Gjithashtu, dyshohet se Guido Guidi ka zhdukur celularët që mbante me vete në mënyrë që të mos identifikoheshin bashkëpunëtorët e tij.

Njëkohësisht po hetohet pista se individë të paidentifikuar, ndoshta vetë trafikantët, kanë tentuar ta çmontojnë avionin “Piper” në mënyrë që të zhdukej çdo gjurmë e linjës së trafikut.

Nga grupi hetimor mësohet se vidat e krahëve të avionit janë liruar, dhe ky fakt kërkon një ekspertizë të mëtejshme.

Guido Andrea Guidi, 69-vjeçari që “ngeci” me një avion “Piper” në grykëderdhjen e Ishmit dhe që po hetohet për “Shkelje të rregullave të fluturimit ndërkombëtar” dhe “Kalim të paligjshëm të kufirit”, ka përdorur një “smartphone” gjatë gjithë fluturimit, por që nuk është gjendur ende.

Pilotit të avionit “Piper” i është ofruar tashmë mundësia e firmosjes së një marrëveshjeje bashkëpunimi me drejtësinë shqiptare në formën e të penduarit, por nuk dihet ende nëse do ta firmosë.