NGA ARTAN FUGA

2 gusht 2015 –  U nisa për në Durrës për të marrë pjesë në takimin me rastin e përvjetorit të themelimit të klubit “Vespa” në Durrës. Çuna edhe nga Kavaja e Shijaku. Shkodra, Tirana, Italia.

Diamante kulture profesionale, etike sjelljeje, solidariteti dhe miqësie.

“Vespa”-n italiane e kanë stil jetese.

O Zot, çfarë pastërtie motorët. Të vjen të vjellësh nga puna jote kur sheh cilësinë e punës së tyre. Edhe nga Bergamo kishte ardhur Vigani nga Kavaja me vëllezërit.

Më fliste për kulturën RETRO. Jam si ty unë, profesor, se të lexoj nga Bergamo. Unë ruaj motorë “Gilera” të viteve ‘30.

E ta bëftë Zoti dritë, o Vigan, nga Kavaja, me banim në Bergamo. Çfarë ka më shumë një rektor universiteti privat sesa ty???

U ndala te “Kastrati” për ta pastruar pak mjetin tim. Ku të shkoj kështu si pisanjos te çunat e “Vespa”-s. Te “Kastrati” katër burra ma bënë si akullore për 300 lekë. O Zot, sa pak. Në mes të diellit. Prisja si ndonjë idiot te kafeneja që ata të mbaronin punë.

Kamerieri nisi të më thotë: o profe, aman mo burrë, vajta në një universitet publik dhe atje bënim informatikë dhe zysha na thoshte: “Imagjinoni kompjuterin”, nuk kishte asnjë për be.

Ore, përse nuk erdhe te departamenti ynë i komunikimit në UT, kompjuterë sa të hajë qeni, o burrë, mikser nga ambasada franceze, salla nga fondacione gjermane, laboratorë nga fisnikja Eagle – Telecom. Çfarë të duash.

Ika tutje në Durrës. U ktheva për një kafe me Ilvin dhe Shpëtimin para se të takonim çunat e tjerë jashtë me “Vespa”-t e tyre në Durrës. Vajta të paguaja, por Mario, kamerieri simpatik, nuk deshi. Aman bëjmë një foto bashkë, se kam qejf të të qeras. E përqafova, por qerasjen nuk ia pranova. Ik o Mario, i thashë me humor, unë të mbys në lekë, jam i korruptuar shumë, nuk kam se çfarë t'i bëj lekët. U shkrimë gazit gjithë si kafene, të rinj plot si drita.

E ikëm te LE BONBON. O frëngjishtja e bukur në breg të detit. Plasi ritmi i shfrenuar i muzikës. Çunat e Shkodrës më ofruan një raki rrushi që thoshin se është pa alkool. Mos çuna, u thashë, se jeni mbi motor, nuk jeni mbi gomar, se gomerët nuk regjistrohen dhe nuk ekzistojnë atje ku jam unë, iki sapo shoh stallë gomerësh…

Ata qeshnin. Fisnikë, takova dhe Rezin.

Në mes të vapës shkëmbejnë vizita nga Shkodra, Kavaja, Tirana. Vijnë në Durrës për qokë, nuk i lidh asgjë veçse “Vespa” si një kod edukate.

Kulturë RETRO, e tha mirë kavajasi simpatik.

Ika, nuk mund të rrija më shumë, miq të tjerë më presin për drekë te Mali i Robit. 40 e ca çuna dhe goca që janë mbledhur për të debatuar për shoqërinë e sotme. Janë shtruar duke ngrënë peshk.

Kjo është shoqëria që po lind, e papolitizuar. E pakorruptueshme, që nuk do favore. Kritike.

Kaloj nga rruga dytësore që Vangjush Dako ka bërë me Bashkinë e vet në Durrës. Unë nuk di shume gjëra për Durrësin, si menaxhohet, por për këtë rrugën dytësore anash Portit që lidh Durrësin direkt me plazhin, pa dalë në autostradë, unë i heq kapelën atij që e ka konceptuar dhe e ka bërë, e ka financuar gjithashtu, qoftë qeveria e Sali Berishës, qoftë qeveria e Edi Ramës, qoftë Bashkia e Vangjush Dakos, qoftë qeveria e Renzit apo e Tsiprasit apo Banka Botërore. Kushdo që ta ketë bërë, i heq kapelën.

Eviton trafikun, e zgjidhi trafikun në kohë vere që të merrte jetën, rrugë e shtruar bukur, Durrësi im që e quaj si Gdanskun e Adriatikut, e meritonte. Peizazh evropian. Sheh Portin qetësisht dhe detin. Ecën si zotni, me korsi për këmbësorë e biçikleta. Këtij i them investim unë, një gur "vret" gjithë ata zogj, harabela, pëllumba.

Vetëm se te kryqëzimi te hyrja e plazhit nuk di nga t'ia mbash, rrugët kryqëzohen pa rregull si në ndonjë katund andej nga Siria, duket sikur je në dorë të Zotit. E mo, rregullojeni tani, mos u bëni kështu…

Edhe te sheshi para Bashkisë nuk kuptova ato format gjeometrike të palmave, kurse ca si kryqe druri ende bosh më duken sikur do të kryqëzojnë Krishtin në Durrës.

Të isha si katolikët e Durrësit, si dom Gjergj Meta, që mezi po pres t'i shkoj në meshën e së dielës, aty, te Kisha e vogël afër Bashkisë, do të kisha hipur ca persona në kryq për t'u kryqëzuar simbolikisht.

Çdo katolik, besoj, qe sa herë sheh një kryq bosh ka dëshirën e brendshme të hipë lart për t'u kryqëzuar.

Më ngjallet pak frikë.

Vendosini pra lulet a bimësinë a poçet e dritave që do të varni atje. Se ku ka kryq bosh, gjendet gjithmonë një Jezus që do të kryqëzohet dhe një Pons Pilat që do të lajë duart duke parë me frikë lart se mos Zoti e ndëshkon.

Marrë nga faqja në FB e autorit, postuar ora 14:45, 2 gusht 2015.