Andre Onana dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitoren 1-0 të Manchester United kundër danezëve të Copenhagenit. E para për “Djajtë e Kuq” në grupet e Champions League. Portieri kamerunas priti një penallti në minutën e shtatë shtesë, me skuadrën e Erik ten Hag që siguroi tri pikë të arta falë golit të Harry Maguire. Dhe pritjes fantastike të Onanas.

Alejandro Garnacho donte të nderonte shokun e tij për pritjen e penalltisë, por e dreqosi me postimin në rrjetet sociale. Aty ku foton e Onanas duke u përqafuar nga shokët e skuadrës, e shoqëroi me emojin e dy gorillave! 19-vjeçari fshiu shpejt postimin pas reagimit të ashpër të tifozëve, të cilët i vunë në dukje konotacionin racor të veprimit të tij.

Shtypi britanik shkruan se FA është gati të hapë një hetim dhe pritet të marrë masa disiplinore për Garnachon, i cili rrezikon një pezullim për “autogolin” e tij. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Onana, i cili ka marrë në mbrojtje shokun e tij të skuadrës. “Nuk mund të zgjedhin njerëzit atë që më ofendon mua. Unë e di saktësisht se çfarë donte të shprehte Garnacho: fuqi dhe forcë. Boll me këtë çështje”, shkruan ish-portieri i Interit.