Një vajzë dy vjeçare ka vdekur në Spanjë si pasojë e goditjes nga nxehtësia, pasi u la në makinën e babait të saj për orë të tëra, në temperatura jashtëzakonisht të larta që kanë përfshirë vendin iberik ditët e fundit.

Incidenti tragjik ndodhi në qytetin Brion, ku fëmija pësoi një atak kardiak të mërkurën. Sipas raportimeve nga mediat, babai i fëmijës harroi ta çonte atë në çerdhe, pasi u shpërqendrua nga një telefonatë gjatë udhëtimit të mëngjesit.

Sipas mediave spanjolle dhe britanike, babai i dyvjeçares e kishte lënë më parë fëmijën më të madh të familjes në shkollë dhe më pas ishte nisur për në punë, pa e kuptuar se vajza dyvjeçare kishte mbetur në sediljen e pasme të makinës.

Alarmi u dha në familje disa orë më vonë, kur nëna shkoi ta merrte fëmijën nga çerdhja dhe u informua se nuk kishte qenë atje në mëngjes. Prindërit njoftuan menjëherë shërbimet e urgjencës, por fëmija nuk mundi të shpëtohej.

Policia ka nisur një hetim mbi rrethanat e sakta të incidentit tragjik, ndërsa autoritetet lokale thanë se familja po merr mbështetje psikologjike. Këshilli i qytetit të Brión shpalli dy ditë zie në kujtim të fëmijës dhe njoftoi se do të mbahet një minutë heshtje.

Në një deklaratë, shprehu ngushëllimet e tij për familjen, duke deklaruar se do të vinte në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme komunale për t’i mbështetur ata.

Aksidenti ndodhi ndërsa Spanja po përballet me një valë temperaturash veçanërisht të larta për muajin maj. Agjencia shtetërore meteorologjike “Aemet” paralajmëroi se në disa zona të vendit, zhiva mund të arrijë 38 gradë Celsius.

Meteorologët flasin për temperatura ekstreme që ngjajnë më shumë me mesin e verës, ndërsa theksojnë se vitet e fundit periudhat e nxehtësisë intensive janë shfaqur gjithnjë e më herët.